Gazetar: Suad Bajrami

“Laj e thaj” me deklaratat e provimit të jurisprudencës. Në vend të ofrimit të zgjidhjes së premtuar, VLEN riciklon premtimet me afate të ndryshme.  Zëvendëskryeministri Bekim Sali tha që këtë zgjidhje do ta shpalosë të enjten, por qytetarët që e pritën sihariqin, morën vetëm një status facebooku përmbajtjen se teksti është finalizuar.

“E falënderoj komisionin për punën konstruktive që e kanë bërë për Ligjin e jurisprudencës!”, shkruan Sali.

Megjithatë, nuk jepet asnjë detaj se çfarë përmban teksti dhe nëse do të qëndrojnë në dakordimin që Alsat paraprakisht e zbardhi që zgjidhja e mundshme është që pjesa teorike e provimit të jepet në gjuhën që studenti ka kryer studimet, ndërsa ajo praktike të vazhdojë të jetë vetëm në gjuhën maqedonase.

Ndërkohë Bilall Kasami i cili së bashku me Izet Mexhiti javën e kaluar premtuan se çështja e provimit do të mbyllet për tre muaj, mbrëmë tha se ende janë në fazë finalizimi.

“Ne po themi që veçmë është çështje e dakorduar politikisht që studentët pas 60 vite e më shumë do të japin provimin e jurisprudencës dhe gati 50 provime profesionale në fusha të ndryshme në gjuhën e tyre amtare… Atëherë kur do e japin? Ne kemi dakordësi politike, grupi i punës është në finalizim të tekstit të ligjit për provimin e jurisprudencës…”, tha mbrëmë Bilall Kasami në intervistën për Syri TV.

Megjithatë afati tremujor duket të jetë mjaftë i shkurtër për miratimin e ndryshimeve ligjore të cilat para se të kalojnë filtrat e brendshëm, duhet të dërgohen për mendim në Komisionin e Venecias.

Paraprakisht, Bekim Sali kishte deklaruar që ekziston vija e kuqe për zgjidhjen e problemit, megjithatë nuk ekziston vijë e kuqe për afatin e zgjidhjes së problemit. /Alsat.mk

The post “Laj e thaj” me deklaratat për jurisprudencën në shqip, VLEN riciklon premtimet appeared first on Alsat.