Me shumë gjasa Lista e zezë e SHBA-ve do të zgjerohet me emra të rinj nga vendi. Ambasadorja amerikane Angela Ageler tha se në Uashington vazhdimisht po shqyrtohen emrat që mund të gjenden në këtë listë. Lista e zezë amerikane herën e fundit u plotësua me emra të rinj në mars të këtij viti kur në të u gjend edhe kryetari i Karposhit Stevço Jakimovski dhe ish prokuroja speciale Katica Janeva. Lista është e hapur për emra shtesë, tha Ageler.
“Lista është shumë dinamike, vazhdimisht po kontrollohen emra dhe debatohet për ta. Nuk ka kornizë kohore sepse ky është vendim i Uashingtonit, por mund t’ju siguroj se derisa flasim ne, një numër i madh emrash kontrollohen dhe në çdo moment mund të shtohen emra të rinj. Kështu që do t’ju njoftojmë kur të ndodhë kjo”, tha Angela Ageler.
Ageler këtë e tha në konferencën e parë për luftë kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor ku theksoi se korrupsioni është problem që seriozisht e ka kapluar të gjithë Ballkanin. Ajo paralajmëroi se në Maqedoni do të instalohet një rrjet i gjyqësorit me profesionistë që do të angazhohen në luftën kundër korrupsionit.
“Ne bashkë mundemi ta ndërtojmë rrjetin për luftë kundër korrups ionit nga pozita e fuqisë dhe besimit. Jam e gëzuar që mund të publikoj se formimi i rrjetit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut që do ta bashkojë profesionistët të sektorit juridiko-penal që do të ndajnë përvoja, do të nxisin besim dhe do të përkrahen mes vete në punën e tyre”, deklaroi Ageler.
Arben Fetai, zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë, theksoi se Maqedonia po përballet me sfidë kritike sepse korrupsioni është në çdo kënd të shoqërisë sonë.
“Si shtet, Maqedonia e Veriut po përballte me sfidë kritike pasi korrupsioni është në çdo kënd të shoqërisë sonë, duke e kërcënuar sundimin e së drejtës, destabilizimin e shoqërisë dhe shkatërrimin e vlerave demokratike. Siguria sociale e qytetarëve tanë dhe integriteti i institucioneve janë të kërcënuar. Ne nuk guxojmë të lejojmë që kjo të vazhdojë”, tha Arben Fetai.
Përndryshe në lidhje me emërimin joligjor të gjykatësve dhe prokurorëve në bordin drejtues të Akademisë së gjykatësve dhe prokurorëve, ambasadorja Ageler tha se opinioni duhet t’i dijë të gjitha detajet që janë në paraskenë të këtij rasti.
