Pavarësisht se përfaqësuesit politikë të VLEN-it e prezantojnë si zgjidhje 100 për qind në gjuhën shqipe, Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se provimi i jurisprudencës nuk do të mund të jepet tërësisht në gjuhën shqipe. Sipas zgjidhjes së dërguar në Komisionin e Venecias, pjesa teorike do të mund të jepet në shqip, anglisht ose turqisht, në varësi të gjuhës në të cilën kandidati ka përfunduar arsimin e lartë në vend.

“E para, nuk ekziston provim i jurisprudencës i tillë që thotë se është 100% në gjuhën shqipe. Çdo person që ka përfunduar arsimin e lartë në Maqedoni në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, mund të zgjedhë që këtë pjesë ta japë në gjuhën në të cilën ka përfunduar arsimin e tij të lartë. Ekzistojnë tri mundësi: në shqip, anglisht dhe turqisht”, deklaroi Mickoski.

Mickoski shpjegoi se kjo zgjidhje bazohet në interpretimin e Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si dhe në parimin se sistemi i drejtësisë funksionon në një gjuhë të vetme të përbashkët zyrtare.

“Pjesa e dytë përfshin simulimin e dy proceseve gjyqësore – një penal dhe një civil – dhe do të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe me alfabetin cirilik. Përse? Sepse është një vendim i qartë i Komisionit të Venecias në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe se sistemi gjyqësor ka vetëm franca lingua, ose më saktë, një parim ku sundimi i ligjit mbrohet dhe zbatohet në një gjuhë të vetme, dhe kjo është gjuha maqedonase dhe shkrimi cirilik” tha Mickoski.

Kryeministri akuzoi BDI-në se gjatë më shumë se 20 vjetëve nuk e ka zgjidhur këtë çështje, ndërsa tani, sipas tij, po i sulmon përpjekjet e Qeverisë aktuale për të gjetur një zgjidhje. BDI-ja dhe studentët kundërshtojnë propozimin që provimi i jurisprudencës të jepet pjesërisht në shqip dhe paralajmërojnë bllokadë e protesta, duke kërkuar që provimi të zhvillohet 100% në gjuhën shqipe. Ndërkohë, VLEN e konsideron çështjen të zgjidhur, por miratimi i ligjit mbetet i pasigurt, pasi pritet mendimi i Komisionit të Venecias dhe nevojitet shumica e Badenterit në Kuvend.