Shkruan: Afërdita Saraçini Kelmendi 

Të gjithë ata që mendojnë se Richard Grenell nuk përfaqëson asgjë dhe se fjalët e tij nuk kanë rëndësi, janë duke jetuar në një iluzion të rrezikshëm! Grenell nuk është një figurë periferike – ai është një nga njerëzit më të afërt të Presidentit Trump dhe ka një ndikim të madh në politikën amerikane. Kur ai flet, nuk flet si një individ i zakonshëm, por si një përfaqësues i fuqishëm i interesave amerikane në rajon.

Kushdo që mendon se mund të fitojë zgjedhjet në Kosovë dhe të qeverisë vendin duke shpërfillur rolin e Amerikës, e ka gabim! Nuk jemi një superfuqi dhe nuk mund të sillemi sikur jemi – jemi një vend i vogël në një botë ku politika globale është e pamëshirshme. Mendoni se mund të ecim përpara pa mbështetjen e aleatit tonë më të madh? Mendoni se mund të përballojmë pasojat e një qasjeje naive? Historia na ka treguar se kush e shpërfill realitetin politik, gjithmonë përfundon i izoluar dhe i dobësuar.

Kur ishim në ditët më të errëta, Amerika ishte ajo që na mbajti dorën dhe na ndihmoi të ndërtonim të ardhmen. Tani, papritur, disa pretendojnë se mund ta përçmojnë këtë mbështetje dhe të shkojnë përpara vetë? Kjo është një sjellje e pamatur dhe e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.

Ata që sot bëjnë politikë për interesat e tyre të ngushta, ata që shesin të ardhmen e vendit për pushtetin e tyre personal, janë po ata që do ta braktisin Kosovën kur ajo të përballet me sfida të vështira. Historia e ka treguar se demagogët dhe oportunistët janë të parët që largohen kur vendi përballet me krizë.

Prandaj, është koha të flasim për atë që ka vërtet rëndësi! Jo më retorikë boshe, jo më mashtrime, por ide konkrete për zhvillim dhe për hapjen e vendit drejt së ardhmes. Kosova ka nevojë për politika të mençura, për lidership që kupton rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar dhe që punon për forcimin e shtetit, jo për izolimin e tij.

Dhe mbi të gjitha, mos e shani Amerikën! Sepse ajo ka qenë dhe mbetet partneri ynë më i madh. Ata që e harrojnë këtë realitet, do të paguajnë çmimin e gabimit të tyre – në politikë, në histori dhe para popullit të Kosovës!