Shkruan prof. Mersim Maksuti
APEL subjekteve politike BDI dhe VLEN
MOS E PËRJASHTONI DIASPORËN NGA ZGJEDHJET LOKALE PËR KËRÇOVËN,
Bervenicën dhe Butelin
Paralajmërimet se Kodi i ri Elektoral do të mundësojë votimin e diasporës nëpërmjet votimit elektronik ose me postë vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, ndërsa jo edhe për zgjedhjet lokale, cenojnë parimin e barazisë së votës dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Përfshirja e diasporës në zgjedhjet lokale nuk bie ndesh me standardet evropiane, me praktikën e një numri të konsiderueshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe as me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përkundrazi, të gjitha këto burime konfirmojnë se shtetet gëzojnë një hapësirë të gjerë vlerësimi në rregullimin e mënyrës së votimit të shtetasve të tyre që jetojnë jashtë vendit.
Prandaj, ekzistojnë argumente të forta që Kodi i ri Elektoral duhet ta përfshijë votimin e diasporës edhe në zgjedhjet lokale, në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane. Së pari, shtetasit që jetojnë jashtë vendit nuk e humbasin shtetësinë dhe as lidhjen e tyre juridike, ekonomike e emocionale me komunën e origjinës. Së dyti, një numër i madh i tyre kanë prona, realizojnë investime kapitale dhe përmbushin detyrime financiare ndaj komunave. Së treti, diaspora jep një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë lokale përmes remitancave, të cilat, në shumë komuna, përbëjnë faktor kyç për mbijetesën ekonomike të familjeve dhe për zhvillimin lokal. Përveç kësaj, lidhjet familjare, kulturore dhe shoqërore me vendlindjen mbeten të forta, ndërsa pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet lokale do ta rriste legjitimitetin demokratik të institucioneve komunale.
Njëkohësisht, Kodi i ri Elektoral duhet të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë politik edhe për çështjet që lidhen me numrin e njësive zgjedhore dhe pragun zgjedhor dhe revidimin e njësive zgjedhore, me synimin për të ruajtur ose për të rritur përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvend, e jo për t’u përshtatur vetëm interesave afatshkurtra të partive politike.
Po ashtu, reformat zgjedhore duhet të parashohin edhe listat e hapura për kandidatët për deputetë. Një zgjidhje e tillë do të forconte demokracinë e brendshme partiake, do ta rriste llogaridhënien e deputetëve ndaj qytetarëve që i zgjedhin dhe do ta zvogëlonte varësinë e tyre nga kryetarët e partive politike.
