Dhuna e dyshuar policore ndaj dy të rinjve nga Saraji po merr epilogun e parë institucional. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ndaj gjashtë zyrtarëve policorë do të nisë procedurë disiplinore dhe do të shqiptohet masa e suspendimit nga puna, pas konstatimit të parregullsive në veprimet e tyre gjatë ngjarjes së 7 tetorit në Shkup.

“Nga kontrollet e kryera, incizimet e siguruara nga ngjarja dhe deklaratat e siguruara nga personat që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, janë konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e zyrtarëve policorë. Për këtë arsye, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së do të nisë procedurë ndaj gjashtë zyrtarëve policorë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës, si dhe do t’u shqiptojë masa për largimin nga vendi i punës – suspendim”, tha MPB .

Ndërkohë, lidhur me kallëzimet që përmbajnë elemente të veprave penale, prokuroritë kompetente kanë lëshuar urdhra për ekspertizë, të cilat janë në proces të realizimit.

“Pas dokumentimit të të gjithë materialit provues, do të paraqiten parashtresat përkatëse”, tha MPB.

Këto zhvillime vijnë pas reagimeve institucionale dhe politike lidhur me rastin. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, kishte deklaruar se uniforma policore nuk mund të jetë arsyetim për ushtrimin e dhunës dhe se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin do të mbajnë përgjegjësi. Ai kishte theksuar gjithashtu se rasti nuk ka motive etnike.
Edhe VLEN-i kishte kërkuar hetim të paanshëm dhe transparent, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim, krahas përgjegjësisë eventuale individuale të policëve, kishte kërkuar edhe përgjegjësi institucionale dhe dorëheqjen e ministrit Iseni.
Sipas pretendimeve të dy të rinjve, policët kishin përdorur forcë të tepruar edhe pasi ata ishin vënë nën kontroll dhe i kishin duart e lidhura. Rrethanat e ndërhyrjes, pretendimet për dhunë dhe përgjegjësia eventuale e zyrtarëve të përfshirë pritet të sqarohen përmes hetimeve.