Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel qytetarëve, dhe veçanërisht pronarëve dhe operatorëve të dronëve, që të respektojnë vazhdimisht rregullat për përdorimin e sigurt të hapësirës ajrore.
Nga MPB theksojnë se për shkak të rritjes së aktiviteteve të fluturimit të Departamentit të Njësive Ajrore, si dhe angazhimit intensiv të helikopterëve të MPB-së në shuarjen e zjarreve, zbulimin, transportin dhe detyrat e tjera operative në të gjithë territorin e shtetit, është e nevojshme respektimi i rreptë i rregullave për përdorimin e sigurt të hapësirës ajrore.
“Për shkak të natyrës dhe urgjencës së detyrave, vendi, koha dhe itinerari i lëvizjes së helikopterëve të policisë nuk mund të parashikohen gjithmonë paraprakisht, veçanërisht gjatë ndërhyrjeve të lidhura me zjarret dhe ngjarje të tjera emergjente. Për këto arsye, MPB-ja drejton këtë apel dhe paralajmërim serioz: personat që nuk i plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e mjeteve ajrore pa pilot – dronëve dhe nuk kanë leje, regjistrime ose certifikata përkatëse kur ato janë të detyrueshme, nuk duhet të kryejnë operacione me dronë në kundërshtim me rregulloret në fuqi”, bëhet e ditur në kumtesën e MPB-së.
Operatorët që i plotësojnë kushtet e përcaktuara, siç bëjnë të ditur nga MPB, janë të detyruar t’i kryejnë operacionet vetëm në përputhje me rregulloret në fuqi të aviacionit, kufizimet e hapësirës ajrore dhe kushtet e përcaktuara nga autoritetet kompetente të aviacionit, duke përfshirë njoftimet dhe koordinimin e nevojshëm me shërbimet kompetente të kontrollit të trafikut ajror, kur kjo kërkohet me ligj.
Nëse operatori i një droni vëren ose dëgjon një helikopter policie në afërsi, është i detyruar menjëherë dhe pa vonesë ta ulë në mënyrë të sigurt dronin.
“Në asnjë rast nuk lejohet drejtimi i dronit në drejtim të helikopterit, afrimi ndaj tij, ndjekja e lëvizjes së tij apo filmimi nga afër”, theksojnë nga MPB.
Theksojmë veçanërisht se prania e një droni në zonën ku operon një helikopter paraqet rrezik serioz për sigurinë e fluturimit. Përplasja e një droni me një helikopter mund të shkaktojë dëmtime të rënda, humbje të kontrollit mbi mjetin ajror dhe rrezikim të drejtpërdrejtë të jetës së ekuipazhit, si dhe të personave dhe pronës në tokë.
“Rreziku është edhe më i madh gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve, kur helikopterët fluturojnë në lartësi të ulëta, në kushte tymi, dukshmërie të reduktuar, turbulencash dhe ngarkese të lartë pune për ekuipazhin. Në këto kushte, dallimi dhe shmangia në kohë e një mjeti të vogël ajror pa pilot – droni – mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë”, thonë nga MPB.
Theksojnë se shfaqja e një droni në zonën operative mund të çojë gjithashtu në ndërprerjen e plotë ose shtyrjen e operacioneve të fluturimit, duke ulur drejtpërdrejt efikasitetin e ndërhyrjes dhe duke rrezikuar më tej popullsinë, zjarrfikësit, pronën dhe burimet natyrore.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme paralajmërojnë se do të merren masat e duhura për përcaktimin e identitetit dhe përgjegjësisë së personave të cilët, përmes drejtimit të paligjshëm ose të pasigurt të mjeteve ajrore pa pilot, rrezikojnë sigurinë e trafikut ajror dhe të mjeteve ajrore të policisë.
Për mosrespektimin e detyrimeve ligjore dhe për veprime që krijojnë rrezik për një mjet ajror, ekuipazh ose persona të tjerë, do të ndërmerren masa kundërvajtëse dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, edhe masa penale, në përputhje me rregulloret në fuqi. Për raste të ngjashme të evidentuara, shërbimet kompetente tashmë po veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre ligjore.
Ministria u bën apel të gjithë qytetarëve dhe operatorëve të dronëve të tregojnë përgjegjësi dhe disiplinë maksimale, duke theksuar se siguria e ekuipazheve që çdo ditë angazhohen për mbrojtjen e qytetarëve dhe për përballimin e zjarreve duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.
The post MPB paralajmëron: Dronët duhet të ulen menjëherë sapo të shfaqet një helikopter policie appeared first on Alsat.
