Gazetare: Melihate Rustemi
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ka nxjerrë në sipërfaqe mesazhe shqetësuese nga nxënësit dhe mësimdhënësit kur bëhet fjalë për dhunën ndaj fëmijëve. Nxënësit pranojnë se janë dëshmitarë të përditshëm të bullizmit dhe se shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmë profesionale. Sipas fëmijëve, bullizmi kibernetik, paragjykimet etnike e sociale janë format më të theksuara të dhunës mes moshatarëve dhe sfidat që rrezikojnë të ardhmen e fëmijëve.
“Fëmijët duhet të rriten në kushte të shëndetshme dhe të zvogëlohet ndikimi i bullizmit kibernetik. Kam qenë shumë herë dëshmitar i bullizmit; për fat të keq, është diçka që ndodh shumë shpesh në shkollë. Mundohem ta zgjidh situatën mes fëmijëve, por nëse kjo nuk ka sukses, atëherë kalojmë në një nivel më të lartë, drejtohemi te psikologu që situata të raportohet dhe të trajtohet”, tha një nxënës i shkollës së mesme.
“Shumica e njerëzve do ta ndalonin dhunën nëse e shohin, por jo nëse dhunuesi është një person që ata e duan personalisht. Për shembull, disa maqedonas ndoshta nuk do të ndërhynin për të ndaluar dhunën ndaj një shqiptari, një person heteroseksual mund të mos ndërhyjë për të mbrojtur një fëmijë që është homoseksual. Veçanërisht, qëndrimi ndaj romëve dhe fëmijëve romë është i tmerrshëm në Maqedoni”, theksoi një nxënës i shkollës së mesme.
Mësimdhënësit vlerësojnë se sjellja e fëmijëve është pasqyrë e shoqërisë dhe e modeleve që ata shohin te të rriturit. Siç thanë mësimdhënësit, për të dalë nga kjo situatë kërkojnë ndërhyrje përmes trajnimit të kuadrit arsimor dhe krijimit të një trekëndëshi funksional prindër, shkollë dhe institucione.
“Përditshmëria e fëmijëve tanë është e mbushur me shembuj kur një i rritur, nga pozita e pushtetit, i lejon vetes të bëjë fyerje, mobing në vendin e punës dhe, për fat të keq, fëmijët bëhen dëshmitarë të ngritjes së zërit me fyerje dhe veprime të tjera të padëshiruara”, tha Grozdanka Sazdova, mësimdhënëse në gjimnazin “Josip Broz Tito” në Shkup.
“Për t’u përballur me dhunën në shkolla janë të domosdoshëm mësimdhënës të trajnuar, protokolle të qarta dhe një ndjeshmëri më e madhe për njohjen e formave të fshehura të dhunës. Dhuna nuk është vetëm fizike, por ka edhe forma të fshehura, të cilat duhet t’i njohim me kohë. Krijimi i një mjedisi të sigurt shkollor kërkon përfshirjen e përbashkët të prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve”, vlerësoi Valentina Shterjovski, mësimdhënëse në gjimnazin e Gostivarit
Me rastin e 1 Qershorit, nxënësit e gjimnazeve të Shkupit dhe Gostivarit, përmes një teatri social të organizuar nga “Megjashi” para Kuvendit, alarmuan se bullizmi ndodh çdo ditë në shkolla por mbetet i pavërejtur nga të rriturit. Përmes kësaj performance, ata kërkuan përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje emergjente të fëmijëve nga dhuna. /Alsat.mk
The post Në ditën ndërkombëtare të Fëmijëve, ankesa për dhunën dhe bullizmin mes nxënësve appeared first on Alsat.
