Gazetar: Zekirija Haxhiu

Grupi i punës i përbërë prej ekspertëve kushtetues i’a kanë dorëzuar Qeverisë propozim zgjidhjen për mundësinë që studentët shqiptarë të mund të japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Zv.kryeministri i parë Bekim Sali për Alsat zbulon se pjesa teorike e provimit do të mund të jepet edhe në shqip, me kërkesë të studentit. Megjithatë, pjesa praktike e provimit përsëri mbetet në gjuhën maqedonase pasi lëndët që u dorëzohen në gjykatë janë vetëm në maqedonisht.

“Kemi të bëjmë vetëm me pjesën praktike ku lëndët që do të jepen në test, do të jenë në gjuhën maqedone. Pra, vetëm ajo pjesë mbetet, pjesa tjetër teorike ne e kemi zgjidhur, kush është anëtari i komisionit, si do të zgjidhen anëtarët, të gjitha këto ndryshime janë të parapara. Pra, pjesa teorike mbetet në gjuhën shqipe”.

Siç u shpreh Sali, edhe vet studentët e juridikut janë pajtuar se duhet me patjetër të njohin gjuhën maqedonase por mbetet çështje e hapur që në provim të mund të kërkojnë përkthim të materialit.

“Jurisprudenca ka shtatë provime, nga të cilat pesë janë teorike dhe dy në vete kyçin edhe pjesën teorike edhe praktike. A do të mundet kandidati i cili nesër të jetë gjykatës të mundet të trajtojë një temë, një çështje, situatë dhe zgjidhje gjyqësore në gjuhën shqipe apo maqedonase për shkak se materialet që i jepen kandidatit për ta dhënë provimin i jepen në gjuhën maqedone”.

Në nenin 6 shtohet paragrafi 7 i cili parasheh që kandidatëve tu sigurohet përkthimi i programit, akteve, literaturës juridike dhe pyetjeve të provimit që nënkupton se të gjitha materialet do të jenë edhe në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ndryshim tjetër i rëndësishëm do të jetë mënyra e përcaktimit të komisionit në provim. Në ligjin aktual përdoret formulimi “profesorë të së drejtës” ndërsa e njëjta do të zëvendësohet me formulimin “nga radhët e profesorëve të fakulteteve juridike të akredituara në shtet”. Sipas Sali, tani mbetet të definohet mënyra e procesimit administrativ, respektivisht nëse do të dorëzohet përmes deputetëve apo si propozim i Qeverisë. Siç njoftoi paraprakisht kryeministri Hristijan Mickoski, para se të miratohet, fillimisht zgjidhja do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias. /Alsat.mk

The post Sali zbulon detaje: Pjesa teorike e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe appeared first on Alsat.