Për analistin Xhelal Neziri vizita e Kryetares së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen në Shkup ishte frytdhënëse dhe pret që në ditët në vazhdim të ketë zhvillime pozitive në si në raport me Bullgarinë dhe brenda Bashkimit Evropian.

“Mendoj se dobitë janë të mëdha në radhë të pari pasi që pas një periudhe të gjatë zhbllokohet komunikimi midis Shkupit dhe Sofjes, një komunikim që ka qenë i ngrirë për një kohë të gjatë. Ka qenë i ngrirë që nga ndryshimi i pushtetit këtu në 2024. Ky pushtet që i fitoi zgjedhjet anti-narrativit të marrëveshjes me Bullgarinë dhe anti-propozimit francez e ka pasur vështirë të reterojë nga ai qëndrim”, u shpreh Xhelal Neziri – analist politik.

Për analistin Petar Arsovski, porosia e Kryetares së Komisionit Europian Von der Leyen drejt rajonit ishte shumë eksplicite për Shqipërinë dhe Malin e Zi, që pritet anëtarësimi deri në 2028/30, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk është në atë udhërrëfyes. Kjo, sipas tij, është humbja më e madhe që po qëndrojmë në vend në tre vitet e fundit.

“Sinjalet negative janë që BE ‘de facto’ nuk na dha udhërrëfyes dhe refuzoi të kyçet drejtpërdrejtë në negociata me Bullgarinë që do të thotë se kthehemi në fillim. Ajo është: derisa nuk bëhen ndryshimet Kushtetuese nuk do të lëvizim para dhe nuk mund të presim ndihmë në atë çështje e as nuk mund të mbështetemi në çështjet dypalëshe ndërmjet nesh dhe Bullgarisë. Por, Komisioni Evropian e trajton këtë situatë si çështje ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut”, tha analisti politik Petar Arsovski.

Vendet kandidate si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Ukraina dhe Moldavia mund të përballen edhe me kufizime të reja pas anëtarësimit në BE, një draft i cili po qarkullon në mediat ndërkombëtare si propozim për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit të BE-së.

Propozimi i Komisionit Evropian:
“Çfarë të drejtash mund të kufizohen për anëtarët e rinj?
1.Një shtet i ri nuk mund të marrë përsipër bllokimin e vendimeve apo përdorimin e të drejtës së vetos;
2.Pezullimi i të drejtës së votës në Këshillin e BE, nëse shumica e kualifikuar e sht. anëtare e miraton;
3. Kufizimi i lëvizjes së lirë të punëtorëve të shtetit të ri në tregun e punës së vendeve të tjera të BE-së.
4. Kufizime të përkohshme në disa të drejta ose përfitime të lidhura me subvencionet bujqësore, etj.

Aktualisht, në procesin e anëtarësimit, unanimiteti u jep çdo shteti anëtar mundësinë të bllokojë me veto vendime të caktuara. Komisioni Evropian ka diskutuar pikërisht kalimin në shumicë të kualifikuar për disa vendime gjatë negociatave të anëtarësimit. Parlamenti Evropian ka mbështetur, ndër të tjera, heqjen e unanimitetit për hapjen dhe mbylljen e kapitujve/klasterëve individualë të negociatave.

Propozimi i Komisionit Evropian:
“Çfarë të drejtash tjera mund të përfitojnë anëtarët e rinj?

  1. Me “shumicë të kualifikuar”, nuk është e nevojshme që të gjithë të bien dakord, nuk kërkohen vota unanime të 27 shteteve anëtare, por mjafton 15 shtete (55%) ose të paktën 65% e popullsisë së BE-së.
  2. Një grup i vogël shtetesh nuk mund ta bllokojë vendimin vetëm sepse janë kundër. Për të krijuar një minoritet bllokues, zakonisht duhen të paktën 4 shtete.”

Sipas propozimit të raportuar nga Reuters, bëhet fjalë për garanci dhe kufizime të përkohshme, për të drejtat që lidhen me votimin dhe veton, jo për heqjen e përhershme të statusit të barabartë të anëtarit. Këto propozime të reja të Komisionit Evropian, pritet që të publikohet më 06 Tetor 2026, në Bruksel.