Gazetare: Ajnur Bafqari

Premtimi u rinovua. Nënshkrimet gjithashtu. Dosja e autostradës Shkup–Bllacë mori edhe një dokument të ri, ndërsa qytetarët edhe një afat të ri për të besuar se kësaj radhe makineritë do të zëvendësojnë deklaratat. Pas dekadash pritjeje, institucionet thonë se më në fund janë krijuar të gjitha kushtet që projekti të dalë nga letrat dhe për rreth 1 muaj të kalojë në terren.

Kryeministri Hristijan Mickoski, me një dozë ironie tha se pret që Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, do të jetë e shpejtë, ekspeditive dhe objektive, duke përsëritur termin ” siç vetëm ata dinë të jenë”

“Pres nëse është gjithçka siç duhet, me Zotin përpara, këtë ose muajin e ardhshëm më në fund të fillojmë që aktivitetet në terren ti përfundojmë. E di që ka mbetur ende që të zgjidhet mbikëqyrja, Aleksandar, ashtu ti më ke njoftuar. Shpresoj se edhe nga banka do të jenë të shpejtë dhe ekspeditiv, siç vetëm ata dinë të jenë, edhe objektivë, siç dinë të jenë. Dhe shpresoj se shumë shpejt edhe këtë procedurë do ta përfundojmë dhe do mundemi të fillojmë me realizimin e këtij projekti” – deklaroi kryeminstri Hristijan Mickoski.

Projekti është rreth 200 milion euro dhe parasheh, 5 tunele, 9 ura, dhe objekte të tjera mbështetëse si dhe një afat të ndërtimit për 4 vite.  Siç shpjegoi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, konsulenti dhe realizuesi tashmë janë zgjedhur, ndërsa mbikëqyrja është në proces të vlerësimit. Terreni, sipas autoriteteve, është jashtëzakonisht i vështirë për ndërtim.

“Paratë për grantin janë nga korniza për investime të BE-së për Ballkanin Perëndimorë. Granti është 30, 8 milion euro, ndërsa krediti, ai është borxhi është 167,6 milion euro. Me këtë kompletohet konstrukcioni financiar për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Në Shkup prej kryqëzimit në Stenkovec, nëpër qarkoren  deri në Bllacë, te kufiri me Kosovën” – tha drejtori i Ndërmarrjes Publike, Rrugët Shetërore, Koce Trajanovski. 


“Pas dekadave injorim të operativës së ndërtimit vendorë, kontraktori i zgjedhur, është kompania ‘Granit, që do ta ndërtojë këtë autostradë, me këtë dëshmuam se ndërmarrjet vendore mund të punojnë dhe mund të realizojnë projekte të mëdha infrastrukturore”- nënvizoi ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski.

Drejtori i Bankës Evropiane për rindërtim dhe Zhvillim, Fatih Turmenogllu dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, thanë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm rrugor për lidhje transportuese dhe zhvillim ekonomik. Të pranishëm në sallë ishin edhe zv kryeministri Bekim Sali dhe zv ministrja e transportit, Kaltrina Zekolli, por të njëjtit vetëm u fotografuan, pasi nuk ishin paraparë për deklarata.

Segmenti i autostradës që do të ndërtohet ka gjatësi prej 10.5 kilometrash, ndërsa me pjesën e ndërtuar më herët gjatësia e përgjithshme nga kryqëzimi Stenkovec deri në kufi arrin në 12 kilometra. Autostrada do të ndërtohet me nga dy korsi në secilin drejtim, ku secila korsi do të ketë gjerësi prej 3,5 metrash. /Alsat.mk

The post Nga letrat në terren? Autoritetet paralajmërojnë nisjen e autostradës Shkup–Bllacë appeared first on Alsat.