Brenda një viti do të përfundojnë kilometrat e parë të autostradës Tetovë–Gostivar, e cila sipas dinamikës aktuale pritet të përfundojë plotësisht në vitin 2028. Po punojmë edhe për lidhjen hekurudhore të Shkupit me Shqipërinë, si vazhdim i aktiviteteve të projektit “Treni i qytetit”, ka bërë të ditur sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, përcjell TV21.

“Ndërtimi i autostradës Tetovë–Gostivar po ecën mirë. Kjo është një autostradë që e ka nisur kjo Qeveri. Janë zgjidhur të gjitha çështjet që lidhen me shpronësimin, ndërsa tani po zgjidhen problemet me zhvendosjen e instalimeve. Gjithashtu, nuk duam që të izolojmë banorët në njërën apo tjetrën anë të autostradës, prandaj paralelisht po ndërtohen mbikalimet dhe urat”, tha Nikolloski gjatë vizitës në Komunën e Tetovës.

Ai shtoi se, nëse vazhdohet me këtë ritëm, vitin e ardhshëm do të shihen kilometrat e parë të përfunduar të autostradës, ndërsa deri në fund të vitit 2028 pritet të përfundojë i gjithë aksi Tetovë–Gostivar.

Nikolloski njoftoi gjithashtu se, së bashku me Bashkimin Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes, po punohet intensivisht në dokumentacionin për lidhjen hekurudhore të Shkupit me Tetovën dhe Gostivarin në fazën e parë, me Kërçovën në fazën e dytë, ndërsa në fazën e tretë me Ohërin, Strugën dhe Republikën e Shqipërisë.

“Idetë ime dhe një lloj ëndrre është të krijojmë trena ndërqytetës, diçka që do të lehtësojë shumë trafikun, do të ulë kolonat dhe ndotjen. Po punohet intensivisht në këtë projekt dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të shohim punët e para konkrete”, tha Nikolloski.

Sipas tij, qëllimi është që në të ardhmen udhëtimi nga qendra e Tetovës në qendrën e Shkupit të zgjasë rreth gjysmë ore me tren, si vazhdim i projektit “Treni i qytetit” brenda Shkupit.