Një pjesë e Haraçinës pa ujë! Banorët furnizohen nga bunarët

“Për ujë është shkret, te uji është shkret”.

Një pjesë e Haraçinës pa ujë. Një banor për TV21 tha se ndërmarrja ua dërgon faturat e pagesës, ndërsa ata furnizohen me ujë nga bunarët.

“Problemin e kemi 2 vite me ujin, ujë nuk ka pagesat i dërgojnë për t’i paguar, por këtë e ka komuna për detyrë për ujin, shumica e banorëve të Haraçinës janë pa ujë, pa kanalizim, ka shumë probleme”.

Një tjetër banor na tregoi se disa shtëpi kanë ngelur pa ujë, sepse edhe puset që kanë nuk kanë ujë mjaftueshëm.

-Edhe fshati si fshat ka problem edhe me ujësjellësin, ujësjellës nuk ka i gjithë fshati.
-Në këtë lagje a keni ujësjellës?
-Jo, shumica janë me puse. Ujësjellës ka por tani për momentin nuk kanë ujë.

Drejtori i Ndërmarrjes komunale “Ambienti”, Arsim Bajrami, thotë se ujë nuk ka për shkak se s’ka rrymë. Rrymë nuk ka sepse komuna nuk ka para për ta paguar në EVN, sepse paratë i mbledhin nga pagesat e qytetarëve për ujin.

“Nga gjithsej 1656 shtëpi të kyçura në sistemin e ujësjellësit, vetëm 267 prej tyre kryejnë rregullisht pagesat. Kjo nënkupton se mbi 1389 shtëpi përfitojnë nga shërbimet, nga shërbimi i pakryer pa asnjë pagesë. Çfarë ka sjellë si pasojë mospagesën e detyrimeve ndaj kompanisë furnizuese me energji elektrike e cila është EVN, për shkak të kësaj situate EVN ka ndërprerë furnizimin me energjinë për pompat e ujësjellësit duke pamundësuar funksionimin e sistemit”, tha Bajrami.

Bajrami shton se janë në komunikim të vazhdueshëm me EVN-në me qëllim që të arrihet marrëveshje për ta paguar borxhin me këste, teksa u bëri apel edhe banorëve që të kontribuojnë në detyrimet e tyre ndaj ujësjellësit në mënyrë që problemi të zgjidhet sa më shpejtë.