Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një prononcim për media, tha se LDK-ja mund ta propozojë si kandidate për presidente, Vjosa Osmani, në rast se Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës, kanë nevojë për 15 votat e kësaj partie për çështjen e presidentit.

“Në rast se dëshiron vetëm me PDK-në le të mblidhen ata, le t’i bëjnë 75 vota, në rast se mbesin për 15 votat e LDK-së ulemi edhe flasim”, tha ai, duke shtuar se “në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe dëshiron marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK-ja mund të propozojë edhe emra, ne nuk kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një, mund të jetë edhe Vjosa Osmani”.

Abdixhiku tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të t’i tregojë atij fillimisht se a i ka 66 vota për Osmanin.

“Por njëherë duhet të vendos a dëshiron marrëveshje politike me LDK-në apo dëshiron 90 vota, 90 vota me neve nuk i ka. Po duket si manovër politike, pasi nuk i ka 90 vota, por le të merret vesh me PDK-në, e më pas ne i përgjigjemi me 15 votat tona”, shtoi ai.