Në njoftimin e lëshuar nga vetë Osmani në Facebook, thuhet se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër ka qenë temë diskutimi e këtij takimi.
Osmani ka thënë se hapja e urës është në interes të të gjithë qytetarëve.
Ajo ka shtuar se suksesi i qëndrueshëm arrihet bashkë me aleatët.
“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë”, ka shkruar Osmani.
Qeveria njoftoi një muaj më parë për synimin që ta hapë për automjete urën që e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe. E ky synim u kundërshtua nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Edhe KFOR-i ka deklaruar se me hapje të urës rrezikohet siguria e rajonit, derisa ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se me hapje të urës rrezikohen ushtarët e NATO-s.