Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, në emisionin Click Plus në TV21 deklaroi se një pjesë e komunave në vend kanë llogari të bllokuara, por vlerësoi se shumica megjithatë funksionojnë normalisht dhe kanë kapacitet t’i kryejnë rregullisht kompetencat e tyre.

“Shumë komuna kanë llogari të bllokuara, por pjesa më e madhe e komunave janë funksionale dhe kanë kapacitet financiar për t’i përballuar dhe për t’i kryer rregullisht kompetencat e tyre dhe këtë e them me përgjegjësi”, tha Perinski.

Ai theksoi se nuk dëshiron të përmendë publikisht komuna konkrete, as t’i kritikojë apo lavdërojë ato, por nënvizoi se edhe në të kaluarën ka pasur raste të komunave të bllokuara që më vonë kanë arritur të stabilizohen financiarisht.

“Kemi shembuj ku ka pasur komuna të bllokuara, ndërsa tani ato kanë llogari të zhbllokuara dhe mund të funksionojnë normalisht”, deklaroi Perinski.

Perinski gjithashtu theksoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk është institucion ku komunat kërkojnë injeksione direkte financiare, por vend ku diskutohet për projekte dhe mundësi për financimin e tyre.

“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk është organ ku vjen dikush për injeksione financiare, dotacione për ndihmë dhe mbështetje. Në dy vitet e fundit të gjithë kryetarët e komunave që kanë ardhur, pa dallim përkatësie politike, kanë ardhur të përgatitur me projekte dhe kemi diskutuar përmes cilave programe mund t’i financojmë”, tha Perinski.

Ai shpjegoi se Ministria zbaton dy programe për mbështetje financiare të projekteve, por edhe ministritë e tjera në Qeveri kanë programe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin rajonal.

“Kryetarët e komunave nuk vijnë duke kërkuar para, por diskutojmë për të gjetur modalitete dhe programe përmes të cilave mund t’i bashkëfinancojmë projektet”, theksoi ministri.

Sipas Perinskit, aktualisht një nga proceset më të rëndësishme ku po punon Ministria është reforma për pavarësi më të madhe financiare të komunave.

“Po punojmë për një reformë të plotë për sigurimin e sa më shumë pavarësie financiare të komunave. Kjo është thelbi”, tha ai.

Perinski tutje vlerësoi se decentralizimi fiskal prej vitesh paraqitet si problem, pa mbështetje të mjaftueshme nga pushteti qendror, ndërsa si sfidë shtesë përmendi humbjet që komunat kanë gjatë mbledhjes së të hyrave vetanake.

“Komunat humbasin nga 80 deri në 100 milionë euro në vit për shkak se i mbledhin në mënyrë jo të duhur të ardhurat e tyre të financimit”, shtoi Perinski.