Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka ndërprerë seancën konstituive për zgjedhjen e nënkryetarëve.  Kjo pasi, në sallë nuk pati propozim të ri nga PDK-ja për këtë pozitë. Herën e parë, Vlora Çitaku nuk u votua nga deputetët e LVV-së. Për këtë arsye, edhe deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës lëshuan sallën. Paraprakisht, deputetët e PDK-së i dhanë votë pro kandidatit të LVV-së, Ardian Gola, për pozitën e nënkryetarit.

“Me këto rrethana po e shoh të rëndësishme që të ndërpremë seancën konstituive këtu, për seancën e radhës ju njoftoj me kohë”. – Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Kosovës .

PDK-ja paralajmëroi se më nuk do të marrë pjesë në seancën plenare, ndërsa çështjen do ta dërgojnë në Kushtetuese.

“Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në gjykatën kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë”. – Bedri Hamza, PDK.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët. Me konstituimin e Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi të jetë i vlefshëm. Nëse deputetët s’arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, qytetarët do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për presidentin, që nga shkurti i vitit 2025. /Alsat.mk

The post Përplasje në Kuvendin e Kosovës: PDK-ja largohet dhe çështjen e dërgon në Kushtetuese appeared first on Alsat.