Seanca e 15-të e Këshillit të Komunës së Tetovës nisi me tensione. Pa u votuar ende pikat e rendit të ditës, këshilltarët u përfshinë në përplasje verbale. Megjithatë, me 22 vota “pro”, pika për emërtimin e rrugëve e propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, arriti të futet në rend dite. Por kjo nuk mjaftoi për të qetësuar gjakrat. Këshilltarët e BDI-së bllokuan foltoren e Kuvendit Komunal, duke kërkuar me ngulm që kjo çështje të shqyrtohej si pika e parë e rendit të ditës. Edhe pse seanca u ndërpre për më shumë se një orë, koordinatorët e grupeve parlamentare nuk arritën një marrëveshje. Kjo situatë i detyroi këshilltarët e BDI-së ta lëshojnë sallën, me akuzën se Komuna e Tetovës nuk ka vullnet politik për të zgjidhur emërtimin e rrugëve.

“Prej në mëngjes, prej ora 10 kemi kërkuar që pika e parë e rendit të ditës të jetë pika jonë që kemi propozuar për emërimin dhe riemërimin e rrugëve. Kemi pasur një debat të ashpër, këta të Vlen-it nuk pranuan që pika jonë të jetë e para e rendit ditës. Tentuam, pas disa pauza, po tentuam disa herë që të futet si pikë e parë e rendit të ditës, mirëpo ata nuk pranuan. Dhe në koordinimin e fundit, prapë ata nuk lëshuan pe që të futet, dhe ne si këshilltarë vendosëm që të largohemi, derisa ata nuk e kanë të rëndësishme emërtimin e rrugëve në Tetovë, që është një çështje më e rëndësishme për ne, për shqiptarët, ata vendosin prapë të shitën, ta shesin parkingun, t’i shesin vendet e tjera, interesin e kanë lekun, nuk e kanë çështjen kombëtare”, tha Berat Murati, BDI.

Nga ana tjetër, Albi Qamili nga VLEN i hodhi poshtë këto akuza. Sipas tij, ky veprim i opozitës dëshmon se ata nuk duan zgjidhje të problemit, por thjesht po bëjnë teatër për mediat. Ai shtoi se shumica është plotësisht e gatshme për debat dhe për ta votuar vendimin.

“Gjithë përpjekjet e BDI-së janë për teatër mediatik, për shou, për propagandë, sepse kërkesa e tyre e parë ishte që ne të futim në rend dite vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë. Ne pranuam atë iniciativa dhe në bazë të procedurës së rregulloreve për punën e Këshillit Komunal, zakonisht pikat shtesë që propozohen në rendin e ditës të seancës së Këshillit Komunal shtohen në fund. Dhe kur e panë se ne pranuam këtë kërkesë dhe jemi të gatshëm për debat, ata nxorën një kërkesë tjetër që me doemos pika të jetë e para në rend dite – një kërkesë shumë absurde. Sipas rregullores ne e shtuam atë pikë dhe vazhdon ajo pikë të jetë në rend të ditës, pika është në fund. Ata lëshuan sallën, ne presim dhe bëjmë thirrje këshilltarëve të BDI-së që të vijnë tek pika ku do të diskutohet për atë vendim. Ne jemi të gatshëm të bëjmë debat, jemi të gatshëm edhe ta votojmë”, tha Albi Qamili, VLEN.

Për këtë çështje, BDI ka organizuar tashmë dy protesta deri më tani. Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme, Komisioni për Emërimin e Rrugëve në Tetovë pritet të mbajë mbledhje, ku do të duhet të paraqiten propozime konkrete për një pjesë të akseve rrugore të qytetit.