Në fshatin Dubrosht të Komunës së Tearcës është përuruar dhe lëshuar në përdorim një segment i ri rrugor, i realizuar përmes grantit të thirrjes qeveritare për investime kapitale në komuna.
Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, tha se projekti përfshin asfaltimin e një rruge me gjatësi prej 600 metrash dhe gjerësi prej 5.5 deri në 6 metra, duke theksuar se me realizimin e tij janë larguar edhe shtyllat që pengonin qarkullimin.
“Sot po përurojmë dhe po e lëshojmë në përdorim rrugën e cila është realizuar përmes financimit nga granti i thirrjes së Qeverisë. Sot po përurojmë një rrugë të asfaltuar me gjatësi prej 600 metrash dhe gjerësi prej 5.5 deri në 6 metra. Janë larguar edhe shtyllat që pengonin qarkullimin dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe ndërtimin e trotuareve, të cilat janë në kompetencë të Komunës së Tearcës”, deklaroi Memishi.
Ai falënderoi zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj komunës, si dhe mërgimtarët që morën pjesë në ceremoninë e përurimit, duke shtuar se komuna do të vazhdojë me realizimin e projekteve të reja infrastrukturore.
Në ceremoni mori pjesë edhe zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila tha se Komuna e Tearcës është përfituese e disa projekteve infrastrukturore përmes thirrjeve qeveritare dhe bashkëpunimit me Bankën Botërore.
“Bëhet fjalë për dy projekte nga thirrja e parë dhe pesë projekte nga thirrja e dytë. Gjithsej në Komunën e Tearcës me këtë thirrje kemi ndarë 2.2 milionë euro dhe kjo është vetëm fillimi i një qeverisjeje 24-mujore. Po bëjmë investime konkrete dhe po përmirësojmë infrastrukturën e komunave tona”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Sipas autoriteteve, investimet në infrastrukturën rrugore në Komunën e Tearcës do të vazhdojnë edhe gjatë periudhës së ardhshme në kuadër të programeve qeveritare për zhvillimin e komunave.
