Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal kundër Blerim Bexhetit në cilësinë e ish kryetarit të Komunës së Sarajit dhe shtatë personave të tjerë, zyrtarë të kësaj komune, përfshi edhe një inxhinier mbikëqyrës. Kanë manipuluar lejen, raportin teknik të rrejshëm dhe mbikëqyrje të rrejshme. Në këtë mënyrë kanë favorizuar një kompani nga Gllumova “Azra Idriz SHPK” Saraj me rreth 1.8 milion euro.
“Ka dyshime të bazuara se personat e kallëzuar, të punësuar në Komunë e Sarajit edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se për parcelën KP 10405-/6 KK Saraj nuk ka plan të detajuar urbanistik, duke tejkaluar kompetencat kanë përgatitur plan të certifikuar dhe leje për ndërtim me përmbajtje të rrejshme, përfshi edhe llogarinë tatimore për mbulimin financiar të tokës ndërtimore në kundërshtim me ligjin. Inxhinieri mbikëqyrës ka realizuar kontroll teknik të objekt dhe ka përgatitur raport përfundimtar me të dhëna të rrejshme”, njoftojnë nga Policia Financiare.
Ndaj kallëzimin ka reaguar ish kreu i komunës, Blerim Bexheti. Sipas tij, ky presion që i bëhet atij ka për qëllim ta heshtë atë.
“Mos mendoni se me këto “operacione”, konstruksione politike, kallëzime të fabrikuara apo tentativa për shantazh mund të më ktheni pas, të më trembni apo të më detyroni të devijoj nga qëndrimet e mia politike. Unë nuk frikësohem. E vërteta nuk mbyllet me kallëzime politike”, deklaroi Blerim Bexheti, Ish kryetar i Sarajit.
Sipas të dhënave nga Kadastra, toka për të cilën Policia Financiare ka hapur lëndë rezulton në bashkëpronësi. 580 metra katror janë pjesë ndërtimore, ndërsa rreth 1800 janën tokë e pa ndërtuar. Në listën pronësore rezultojnë tre persona fizik dhe dy subjekte. Ndërkohë kompania nga Gllumova “Azra Idriz SHPK” është themeluar në vitin 2018 dhe rezulton në emër të Idriz Imerit si themelues dhe drejtues. /Alsat.mk


The post Policia Financiare ka ngritur padi penale ndaj ish kreut të Komunës së Sarajit/ Bexheti: Mos mendoni se me shantazhe mund të me heshtni appeared first on Alsat.
