Gazetare: Fatlume Dervishi
Edhe pse dy presidentët Tramp e Putin nuk dhanë detaje për atë që kanë biseduar në takimin e të premtes, mediat kanë zbardhur disa nga informacionet të cilat kanë arritur t’i sigurojnë.
Presidenti rus, Vladimir Putin bëri kërkesa për të marrë kontrollin e rajoneve kryesore të Ukrainës gjatë bisedimeve të tij me Donald Trampin si një kusht për përfundimin e luftës.
Gjatë takimit të tyre në Alaska, udhëheqësi rus thuhet se i ka thënë presidentit amerikan se dëshiron rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, dhe do të hiqte dorë nga territoret e tjera ukrainase të mbajtura nga trupat e tij, në këmbim.
Tramp ka caktuar një takim me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski në Uashington të hënën. Presidenti amerikan ka thënë se kjo mund të hapë rrugën për një takim trepalësh me Putinin. Sipas disa mediave, thuhet se Tramp mbështet planet, por Zelenski më parë ka përjashtuar mundësinë e dorëzimit formal të ndonjë territori Moskës. Ukraina, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, nuk e vë në diskutim, rajoni i Donbasit nuk do t’i kalojë Rusisë. Sado e pakëndshme që është për Kievin, çështja e territorit është një pikë thelbësore negociuese në këto përpjekje paqeje. Është e vështirë të imagjinohet që Zelensky të dorëzojë qytete të mëdha pasi i ka mbrojtur me sukses për kaq shumë kohë. Kjo do të kërkonte gjithashtu miratimin e parlamentit të Ukrainës.
Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas ka marrë mbështetje nga liderët nga të katër anët e botës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen, thotë se “ajo dhe liderë të tjerë” do t’i bashkohen Zelenskit në Shtëpinë e Bardhë.
“Me kërkesë të presidentit Zelenski, do t’i bashkohem takimit me presidentin Tramp dhe liderët e tjerë evropianë në Shtëpinë e Bardhë nesër”, shkroi Von der Lajen në X.
Ndërkohë, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar do të zhvillojnë sot një telefonatë me aleatët për luftën në Ukrainë./Alsat.mk
The post Putin raportohet të ketë kërkuar rajonin e Donbasit në takim me presidentin amerikan Tramp, në këmbim të paqes në rajonet tjera në Ukrainë appeared first on Alsat.
