Në prag të sfidës kualifikuese ndaj Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, mesfushorët Qazim Laçi dhe Juljan Shehu u shprehën se ekipi do të hyjë në fushë me synimin për të marrë një rezultat pozitiv.
Shehu tha se pavarësisht presionit që ka kjo ndeshje, të gjithë djemtë janë futbollistë profesionistë dhe nënvizoi se dëshira e të gjithë skuadrës është të vazhdojë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026.
“Për ne është shumë e rëndësishme, pavarësisht fushës dhe stadiumit që të shkojmë atje për të marrë 3 pikët. Normalisht që është ndeshje e rëndësisë së madhe, se nga kjo vendoset vazhdimësia që ne të shkojmë në Botëror, është deçizive dhe ne jemi të fokusuar dhe përqëndruar për të vazhduar ëndrrën në Botëror,” tha mes tjerash Shehu.
Ndërkohë Qazim Laçi u shpreh se skuadra është e motivuar për të dhënë maksimumin në përballjen ndaj Serbisë, me synimin për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit.
“Do jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është një ndeshje vendimtare. Siç tha dhe Juljani (Shehu), jemi profesionistë. Jemi mësuar me presionin, secili te skuadra e vetë. Objektivi është tre pikët, sepse e dimë sa e rëndësishme është për ëndrrën tonë në Botëror.
Kur je me Kombëtaren duhet të japësh diçka më shumë, është detyrim. Me ekipin Kombëtar kam dhënë maksimumin për të marrë fitoret. Kështu të vazhdojmë dhe të shpresojmë për një fitore në Serbi,” tha mes tjerash Laçi.
Sfida Serbi-Shqipëri, do të zhvillohet më 11 tetorë, në stadiumin në Leskovac të Serbisë.
The post Qazim Laçi: Shpresojmë për një fitore në Serbi appeared first on Alsat.
