Tetë muaj premtime dhe asnjë përfundim. Rruga kryesore në fshatin Xhepçisht, e nisur me bujë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, po rezulton një sfidë e papërballueshme për banorët. Edhe pse afati fillestar i premtuar ishte vetëm tre muaj, sot, pas thuajse tre herë më shumë kohe, vendi ngjan më shumë me një zonë të goditur nga kriza sesa me një rrugë funksionale. Pluhuri i gurit ka mbuluar shtëpitë, ndërsa gropat po u kushtojnë shtrenjtë xhepave të qytetarëve.

“Tetë muaj edhe deri ku e shihni edhe ju , në pluhur e si është më zi, A va dëmton veturat? , më së pari është vetura ime është e dëmtuar, por në rrugë më zu se  hetova edhe hyr anë këtë begatonkat, më zu në puset, edhe më zu, kur u nis më thanë brenda tre katër muajsh, edhe I kemi përkrah dhe I përkrahim po dështuan me rrugën , dështuan , dhe me hy në shtëpi krejt pluhur dhe llom është shtëpia”

“Asgjë nuk behët na mbyti pluhur si sju vjen turp  be edhe me fëmijë asgjë nuk bëhet , ky është pluhur guri kjo është puna, nuk ka hajrë këtu, , a thonë se do behët shpejtë, e kanë sjell një bager edhe rinë, na mbytën shqiptarët  kjo më vjen inat se”.

“Shumë na pengon  krejt pluhur uji pastër jo, edhe çaka donë edhe pa ujë të rish edhe ujë edhe nja dy javë edhe s’ka  krejt me ujë reke rimë rruga siç e shihni vetë edhe s’ka hajër prej këtu”

Përballë revoltës dhe akuzave të drejtpërdrejta të banorëve, numri një i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kërkon durim. Sipas tij, vonesat nuk vijnë nga neglizhenca, por nga fakti se në Xhepçisht po ndërtohet një infrastrukturë e tërë nëntokësore, e cila kërkon kohën e saj teknike.

“Rruga e fshatit Xhepçisht e dimë që aty bëhet fjalë për një projekt pak më kompleks, domethënë nuk është vetëm asfaltimi i rrugës, por bëhet fjalë për të gjithë infrastrukturën përcjellëse nëntokësore me kanalizim fekal, atmosferik. Aty ka pasur edhe një gyp të ujitjes për fushën e fshatit, pra. Rregullimi i hapësirave të tjera, trotuareve. Po sipas informatave me kompanitë që janë, punohet në bazë të dinamikës të paraparë. Por edhe njëherë, nuk është një rrugë, asfaltimi i një rruge, por është një lloj sheshi për fshatin, kështu që ka më shumë elemente të projektit të cilat e komplikojnë procesin”, tha Bilall Kasami

Derisa Komuna e quan projektin “shesh kompleks”, për banorët e Xhepçishtit realiteti mbetet i thjeshtë, pluhur në shtëpi, vetura të dëmtuara dhe ujë që mungon. Dinamika e paraparë në letër, për ta, po ecën me hapat e një breshke në terren