Sulmet e fundit ruse ndaj Ukrainës kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në infrastrukturë, ndërsa pasojat janë ndier edhe përtej kufijve të saj. Një raketë ruse ka rënë në territorin e Polonisë, duke nxitur reagime të ashpra nga vendet evropiane dhe NATO-ja. Varshava dyshon se incidenti mund të ketë qenë një provokim i qëllimshëm nga Moska, në një kohë kur po zhvillohen stërvitje ushtarake evropiane dhe po shtohen përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Rusia ka kryer një nga sulmet më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke goditur disa ura në Kiev dhe një stacion hekurudhor në qytetin perëndimor të Lvivit. Në këto sulme u vranë tetë persona.

Në Kiev, gjashtë persona u vranë pasi raketat balistike goditën tri ura mbi lumin Dnipro.

Dy persona të tjerë humbën jetën nga sulmi ndaj stacionit hekurudhor në Lviv.

Urat e goditura, Podilsko-Voskresensky e Darnytskyi, u mbyllën për qarkullim, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve në kryeqytet. 

Kryeministri ukrainas, Serhiy Koretsky, ka thënë se vetëm gjatë natës dhe ditëve të fundit, Rusia ka lëshuar gjithsej 71 raketa, përfshirë 29 raketa balistike, si dhe 404 dronë të tipit Shahed.

“Në shënjestër ishin ura, infrastruktura energjetike dhe objektet e furnizimit me ujë, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me qëllime ushtarake. Ky është terror i pastër nga Rusia. Kjo është një luftë brutale dhe ne llogarisim në mbështetjen dhe solidaritetin tuaj, ashtu siç kemi pasur që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë”, ka deklaruar Koretsky.

Ndërkohë, gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës, një raketë e lëshuar nga Rusia ra edhe në territorin e Polonisë, duke shtuar shqetësimet për përhapjen e tensioneve përtej kufijve të luftës.

Raketa e tipit Kh-101 ra rreth 60 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë se bëhej fjalë për një provokim të mundshëm të qëllimshëm nga Moska, i cili përkoi me stërvitjet ushtarake evropiane që po zhvilloheshin në juglindje të Polonisë.

Në këto stërvitje po marrin pjesë mijëra trupa evropiane, të cilat po përgatiten për një mision të mundshëm në Ukrainë pas përfundimit të luftës, me synim stabilizimin e vendit dhe rindërtimin e ushtrisë së tij.

Tusku ka thënë se raketa ruse ra në afërsi të zonës ku po zhvilloheshin stërvitjet ushtarake në Nowa Dęba, ku marrin pjesë edhe trupa polake, në kuadër të koalicionit të vendeve të gatshme për të mbështetur Ukrainën. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që incidenti të ketë lidhje me këto stërvitje, ndonëse theksoi se ky mbetet vetëm një supozim.

“E dimë me siguri se ajo që ra në territorin polak erdhi nga Rusia. Në raste të tilla, ndonjëherë ka hamendësime nëse objektet janë ruse apo ukrainase. Por këtë herë jemi të sigurt se bëhet fjalë për një raketë ruse. Këtë vlerësim e ndajnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Nuk duket të ketë qenë një aksident”, ka deklaruar Tusk.

Edhe ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, e cilësoi sulmin si të qëllimshëm. Sipas tij, ngjarja ishte e lidhur ngushtë me aktivitetet e zhvilluara atë ditë nga koalicioni i vendeve të gatshme për të mbështetur Ukrainën.

Ai ka thënë se incidenti kishte për qëllim të frikësonte qytetarët polakë dhe të minonte bashkëpunimin mes NATO-s, Bashkimit Evropian dhe vendeve që mbështesin Ukrainën.

“Ne nuk duhet të dorëzohemi përballë kësaj”, deklaroi Kosiniak-Kamysz.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi rënien e raketës në territorin polak si shkelje të rëndë të hapësirës ajrore të vendit. Ai u shpreh se incidenti është i rrezikshëm dhe pasojë e drejtpërdrejtë e luftës që Rusia po vazhdon kundër Ukrainës.

Ngjarja nxiti reagime edhe nga udhëheqës të tjerë evropianë. Kryeministri britanik, Andy Burnham, e cilësoi incidentin si plotësisht të papranueshëm, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka thënë se Rusia po vazhdon të përhapë kërcënime. Edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar si një tjetër shembull të provokimeve të vazhdueshme ruse.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, ka deklaruar se veprimet e Rusisë synojnë të përçajnë Evropën dhe t’i dekurajojnë aleatët e Ukrainës.

Ai ka paralajmëruar se Perëndimi nuk duhet t’i vlerësojë qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, vetëm në bazë të deklaratave të tij, por duhet të marrë parasysh veprimet.

“Është naive ta gjykojmë Putinin nga fjalët e tij. Mund ta gjykojmë vetëm nga veprimet. Ngjarjet e natës së kaluar tregojnë edhe një herë se me çfarë udhëheqësi rus kemi të bëjmë. Kjo duhet të shërbejë si mesazh për të gjithë ata që vënë në dyshim nëse Putini është vërtet i përkushtuar ndaj paqes”, deklaroi Streeting.

Ai shtoi se Britania do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, por theksoi se çdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për Ukrainën dhe se vendet evropiane duhet të jenë pjesë e vendimeve që lidhen me sigurinë e kontinentit.

“Ne duam t’i japim fund luftës në Ukrainë përmes negociatave. Por kjo duhet të bëhet sipas kushteve që janë të pranueshme për Ukrainën. Nuk mund të merret asnjë vendim për sigurinë e Evropës pa pjesëmarrjen e vetë evropianëve”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Moska nuk ka reaguar lidhur me raketën që ra në territorin polak dhe as për stërvitjet ushtarake të zhvilluara të premten.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e vendosjes së trupave evropiane në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Ai ka paralajmëruar se Rusia do t’i konsideronte këto trupa objektiva legjitime.

Incidenti në Poloni ndodhi në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të çojnë përpara negociatat për përfundimin e luftës. Megjithatë, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë dallime të mëdha lidhur me kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.

Sulmet e fundit ruse pasuan disa goditje të Ukrainës ndaj objektivave në territorin rus, përfshirë sulmin e kësaj jave ndaj Urës së Kerçit, e cila lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë. Përshkallëzimi i sulmeve ka shtuar pasigurinë nëse bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara mund të sjellin përparim drejt një marrëveshjeje.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka thënë se incidenti në Poloni dëshmon se agresioni rus përbën kërcënim për të gjithë Evropën dhe komunitetin transatlantik, e jo vetëm për Ukrainën.

Ndërkaq, Moska ka lënë të kuptohet se nuk është e gatshme t’u japë vendeve evropiane rol në negociatat për përfundimin e luftës. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Rybakov, sqaroi se ftesa për përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë që të vizitojnë Moskën nuk do të thotë se Rusia ka pranuar përfshirjen e tyre në bisedimet e paqes, të cilat po ndërmjetësohen nga Uashingtoni.

Putin kishte deklaruar të enjten se Rusia i kishte ftuar përfaqësuesit e këtyre vendeve në Moskë, me qëllim që të dëgjonte propozimet e tyre për rolin që mund të luajnë në procesin e paqes.

#Ukraina#Rusia#Polonia