Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është parë duke hyrë në ndërtesën e Presidencës së Kosovës më 22.08.2024.
Pas më shumë se dy orëve, ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se eskorta e shefit të CIA-s është larguar nga hapësira ku gjendet Presidenca.
Mediat nuk janë lejuar të marrin pamje nga afër.
Vizita e Burns në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi edhe në vendet e tjera të rajonit.
Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.
Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Siç shkruan REL, ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.