Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar shtatë raste të dhunës familjare, ndërsa dy persona janë privuar nga liria.
Më 10.06.2026, në orën 03:10, në SPB Shkup, një grua 36-vjeçare denoncoi se më 09.06.2026, rreth orës 23:00, në zonën e Kisella Vodës, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj T.C. (45), me të cilin ndodhej në procedurë shkurorëzimi.
Më 08.06.2026, në orën 20:04, në SPB Shkup, një burrë 42-vjeçar denoncoi se në territorin e komunës së Aerodromit, ish-bashkëshortja e tij E.A. kishte sulmuar fizikisht dy fëmijët e tyre të mitur dhe atë, duke përdorur edhe një send të fortë.
Më 09.06.2026, në orën 15:00, në lagjen Karposh të Shkupit, nëpunës policorë nga SPB Shkup e privuan nga liria B.I. (36) nga Shkupi, pas denoncimit paraprak se kishte sulmuar fizikisht ish-partneren e tij 35-vjeçare.
Më 09.06.2026, në orën 22:00, në SPB Shtip, një grua 57-vjeçare nga Shtipi denoncoi se ish-partneri i saj A.M. (48), nga një fshat i rajonit të Demir Kapisë, e kishte telefonuar dhe i kishte bërë kërcënime asaj dhe familjes së saj. Për rastin janë njoftuar prokurori publik dhe përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale në Shtip.
Më 09.06.2026, në orën 17:00, në SPB Tetovë u denoncua se rreth orës 14:15, në rrugën “Marshall Tito” në Tetovë, një grua po e rrihte fëmijën e saj të moshës rreth tre – katër -vjeçare. Sipas denoncimit, pasi kalimtarët e rastit kishin reaguar dhe ishin ndalur për ta mbrojtur fëmijën, nëna e kishte lënë atë në rrugë dhe ishte larguar me një karrocë ku ndodhej një fëmijë tjetër i mitur. Për rastin u njoftuan prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale në Tetovë, ndërsa fëmija, pas dhënies së ndihmës mjekësore, iu dorëzua Qendrës për Punë Sociale.
Më 09.06.2026, në orën 17:00, një grua 38-vjeçare nga Republika e Shqipërisë, me qëndrim të përkohshëm në Tetovë, denoncoi se bashkëshorti i saj J.M. (48), nga rrethina e Gostivarit, me të cilin ndodhej në procedurë shkurorëzimi, prej muajsh nuk respektonte vendimin e Qendrës së Punëve Sociale në Tetovë lidhur me takimet me fëmijët, vinte vazhdimisht para banesës së saj, i dërgonte kërcënime përmes mesazheve telefonike, e ofendonte dhe e përndiqte vazhdimisht.
Më 09.06.2026, në orën 21:15, nëpunës policorë nga SPB Veles e privuan nga liria B.S. (45) nga Velesi, pas denoncimit të vajzës së tij 18-vjeçare se ai e kishte sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare. Gjithashtu, edhe
Qendra për Punë Sociale në Veles denoncoi se gjatë ditëve të fundit B.S. kishte sulmuar fizikisht edhe vajzën e tij të mitur, duke përdorur një send prej druri. Sipas denoncimit, ai për një periudhë të gjatë kishte keqtrajtuar dhe sulmuar fizikisht vajzat e tij. Ai u ndalua në stacion policor dhe për rastin u njoftua prokurori publik.

Nga MPB theksuan se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve dhe, pas dokumentimit të tyre, ndaj autorëve do të ngrihen kallëzimet përkatëse.

The post Shtatë raste të dhunës familjare në 24 orë, arrestohen dy persona appeared first on Alsat.