Shtatë persona janë proceduar penalisht pas protestës së opozitës një ditë më parë në Shqipëri. Në protestë mbetën të lënduar tre punonjës policie. Siç njoftojnë mediat në Shqipëri mes personave të proceduar penalisht është edhe deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, i akuzuar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Gjashtë protestuesit e tjerë do të hetohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike. Gjatë protestës së tetë majit, mbështetësit e opozitës tentuan të marshonin përtej bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Ministrisë së Brendshme, por hasën rezistencë nga kordoni i policisë.

Tentativa dhe përplasja e tubuesve me forcat e policisë, bëri që uniformat blu të përgjigjeshin me ujë me presion, ndërsa vijoi skenari i njëjtë me hedhje molotovësh dhe lëndësh piroteknike. Tre punonjësit e policisë të cilët mbetën të plagosur, u dërguan në spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. I lënduar mbeti edhe një protestues. Gjatë tubimit, policia sekuestroi 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta. Ashtu sikurse e paralajmëroi kreu i policisë, efektivët nuk lejuan marshimin jashtë perimetrit të përcaktuar. /Alsat.mk

The post Shtatë të proceduar pas protestës së opozitës në Shqipëri, mes tyre edhe deputeti Klevis Balliu appeared first on Alsat.