Gazetar: Zekirija Haxhiu

Pavarësisht akuzave të BDI-së se votimi me badenter të vogël të Ligjit për Përfaqësim defaktorizon votën shqiptare, për VLEN-in rëndësi ka miratimi i ligjit dhe jo mënyra e votimit.

“Për herë të parë pas 24 viteve VLEN-i po e ngritë këtë çështje e cila është pjesë e marrëveshjes së Ohrit, pra për herë të parë do të ketë ligj, për herë të parë do të merret Qeveria e Maqedonisë me përfaqësimin adekuat…….Pak e rëndësishme a me badenter të madh apo të vogël. 24 vite s’kanë mundur të sjellin ligj, VLEN-i për 24 muaj po sjellë ligj për përfaqësim adekuat. Pikë”, deklaroi Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN.

Mexhiti nuk zbuloi detaje rreth rikonstruimit të qeverisë. Mbetet e paqartë se kush do të zëvendësojë ish zv.kryeminstrin Arben Fetain dhe se cili do të jetë fati i Fatmir Limanit i cili nuk është më kuadër i VLEN-it.

“Ne jemi ulur me z.Mickoski dhe jemi marrë vesh parimisht se do të ketë rikonstruim. Në takimin e radhës do përcaktojmë parimet e rikonstruimit. Normal që në VLEN ka takime të vazhdueshme ku vlerësohet puna e çdo funksionari, ata që meritojnë të ecin do e kenë mbështetjen, ata që duhet ta lirojnë vendin për gjeneratat tjera, do të zëvendësohen me më të mirë”, shtoi Mexhiti.

Kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi njoftoi se janë duke zhvilluar diskutime brenda partiake në VMRO-DPMNE ndërsa deri në fund të këtij muaji, do të ulen të diskutojnë edhe me partnerët e koalicionit. Rikonstruimi është temë debati tanimë më tepër se shtatë muaj, që nga zgjedhjet lokale. Që atëkohë, më i përfoluri se mund të zëvendësohet ishte ministri i Drejtësisë Igor Fillkov për shkak pakënaqësive me reformat në gjyqësor. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë edhe me Lëvizjen ZNAM pasi të njëjtët mbetën me një deputet më pak pas largimit të Mile Cekov. /Alsat.mk

The post “S’ka rëndësi a me badenter të vogël a me të madh”, Mexhiti: Për 24 muaj sollëm ligjin për përfaqësim appeared first on Alsat.