Gazetar: Suad Bajrami

Prokuroria kërkoi, ndërsa Gjykata e Shkupit pranoi që ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, t’i vazhdohet arresti shtëpiak edhe për 30 ditë të tjera. Grubi i cili pas 14 muajsh arratisje më 23 shkurt iu dorëzua autoriteteve në pikën kufitare Bllacë, dyshohet për veprën penale mashtrim në shërbim. Megjithatë, nga organi i akuzës nuk jep detaje se në cilën fazë është hetimi për keqpërdorimet e pretenduara lidhur me procedurën e me furnizimit të VLT aparateve për Lotarinë Shtetërore edhe pse të njëjtat fare nuk kanë qenë të nevojshme dhe asnjëherë nuk janë përdorur.

“Vijon hetimi, megjithatë në këtë fazë të procedurës, Prokuroria nuk ka mundësi të ndajë detaje për veprimet që po ndërmerren.” – Prokuroria.

Grubi prej mbrëmjes së 23 shkurtit ndodhet në arrest shtëpie, pasi me propozim të Prokurorisë, Gjykata pranoi masën për sigurimin e pranisë. Për këtë pati reagime të ashpra në opinion, duke kritikuar autoritetet pse nuk kanë caktuar masë paraburgimi efektiv, duke e pasur parasysh se Grubi ka qenë në arrati. Ndërsa plotësisht, kishte akuza për marrëveshje politike. Arsyetimi i organit të akuzës ishte se Agjencia për Siguri Kombëtare  dhe Ministria e Punëve të Brenda disponojnë me informata se Grubit i rrezikohet siguria nëse dërgohet në burgun e Shutkës edhe pse drejtori i Burgut, konfirmoi për Alsat se siguria në Shutkë, është në nivelin më të lartë të mundshëm.

Së bashku me Grubin, i dyshuar për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore është edhe ish drejtori Përparim Bajrami i cili vazhdon të jetë në arrati, por edhe disa persona të tjerë. Dëmi sipas Prokurorisë është mbi 8 milionë euro, ndërsa për veprën parashikohet dënim me burg prej së paku 4 vjet.

Hetimet në lotari u hapën pasi SHBA, e futi në listë të zezë Artan Grubin së bashku me gjyqtarin kontrovers Enver Bexheti të cilët sipas autoriteteve amerikane kishin marrë ryshfet për ta shpëtuar nga ndjekja penale ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov.

Artan Grubi derisa ishte aktiv në jetën politike, shquhej si personi më i afërt i liderit të BDI-së Ali Ahmeti. /Alsat.mk

 

The post Skandali i “Lotarisë” thellohet: Artan Grubi nën arrest shtëpiak, 8 mln € në hetim appeared first on Alsat.