Zëvendës kryeministri i Qeverisë Ivan Stoilkoviq për mediumin serb “Politika” ka deklaruar se me emërimin e tij në pozitë kaq të lartë është korigjim i një padrejtësie ndaj serbëve në Maqedoni.
“Për popullin serb, kjo do të thotë se ata tani kanë një adresë në nivelet më të larta të qeverisë maqedonase, se kjo padrejtësi e madhe më në fund është korrigjuar dhe se ata tani marrin pjesë me dinjitet në të dhe kanë kujt t’i drejtohen. Ka shumë gjëra që ne filluam dhe u desh të ndalonim kur qeveria ndryshoi shtatë vjet më parë. Ka shumë qëndrime që Kushtetuta na i garanton, por nuk i kemi vënë në jetë për shkak të mungesës së vullnetit dhe shkatërrimit të grupit të mëparshëm në pushtet. Na pret punë serioze, por edhe një platformë e re. Për Maqedoninë, kjo mund të jetë vetëm e dobishme dhe në dobi të një përmirësimi edhe më të madh të marrëdhënieve ndërmjet popujve dhe vendeve tona” thotë Stoilkoviq.
Poashtu Stoilkoviq vlerson se sulmi që i bëhet partnerit të tij të koalicionit VLEN është mbulesë perfide për sulmet që u bëhen serbëve.
“Serbët qëndruan pranë popullit maqedonas kur ishte më e vështirë dhe zgjedhja ime në këtë post përgjegjës është një sekuencë logjike e gjërave. Fjala vjen, komplotet nuk janë krijuar nga pala shqiptare, por nga partia, politika dhe praktika e së cilës ka rezultuar katastrofike për vete, pra BDI-në. Është perfide hipja në valën e urrejtjes ndaj serbëve për të përçmuar anëtarët e VLEN-it, partnerit shqiptar në koalicionin tonë” thotë Stoilkoviq në intervistën e tij për mediumin serb “Politika”