Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk do ta komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse vendos të anulojë “Ligjin e Solidaritetit”, me të cilin buxheti do t’u kthejë 49.2 milionë euro 156 kompanive që kanë paguar këtë taksë. Mickoski theksoi se për këtë do të sigurohen para me shkurtimin e mjeteve të planifikuara për projekte tjera në buxhet, por gjithashtu paralajmëroi se nuk do të përfundojë gjithçka me kaq. Gjykata Kushtetuese duhet të marrë vendimin në fillim të muajit të ardhshëm.
“Por, po ashtu do ta shqyrtojmë edhe mundësinë për përgjegjësi penale për ata që e sollën vendimin që në këtë mënyrë të udhëhiqet ekonomia. Sepse de fakto tani buxheti është dëmtuar. Që nesër mund të na kërkojnë të paguajmë normë interesi. Jo vetëm kaq, por nëse Gjykata kushtetuese sjell një vendim të tillë, mund edhe normë interesi të na kërkojnë”, tha Hristijan Mickoski.
