Nga sonte, pa ujë do të jenë shumica e lagjeve të Shkupit, përveç Çairit, Butelit, Radishanit, rrugës së plastikave deri tek Ambasada Amerikane, Vizbegut, Bardovcës, Hekuranës, një pjesë e Gjorçe Petrovit, Sarajit, Shutkës dhe Fushë Topanës. Nesër herët në mëngjes do të nisë aksioni për rehabilitimin e gypit kryesor në Shkup. Pritet që kjo ndërhyrje të përfundojë për më pak se 15 orë, ku pjesa më e madhe e kohës ndahet për zbrazjen dhe mbushjen e ujësjellësit kryesor, njoftoi NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup. Nga aty apelojnë edhe që të kihet kujdes në shpërndarjen e informacioneve dhe të mos shkaktohet frikë dhe panik te qytetarët për mungesën e ujit për disa orë. Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë ka dhënë rekomandime për qytetarët lidhur me mungesën e paralajmëruar të ujit në periudhën e ardhshme në Shkup. Rekomandohet për qytetarët – të ruajnë ujë të paktën 4 litra për një person në ditë, ta përdorin atë vetëm për nevoja elementare si pije, gatim dhe higjienë personale, të përdorin dezinfektues të duarve nëse nuk ka ujë në dispozicion, të gatuajnë ushqime që nuk kërkojnë shumë ujë për përgatitje dhe larje.