Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se nga tani edhe motoçiklistët do të sanksionohen automatikisht përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
Deri më tani, sistemi te motoçikletat regjistronte vetëm kalimin në semafor të kuq. Toshkovski tha se që nga dje është mundësuar edhe detektimi automatik i shpejtësisë së motoçikletave.
Sipas tij, masa është ndërmarrë para së gjithash për rritjen e sigurisë në komunikacion. Ai theksoi se nga gjashtë viktimat në aksidentet e trafikut këtë muaj, katër kanë qenë motoçiklistë.
“Qyteti i Sigurt” për momentin funksionon në Korridoret 8 dhe 10, si dhe në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa deri në mes të shtatorit pritet të vendoset edhe në Veles, Kavadar dhe Negotinë”, tha Toshkovski.
Toshkovski njoftoi gjithashtu se sistemi do të mundësojë pagesën online të gjobave edhe për qytetarët e Maqedonisë. Sipas tij, që nga fillimi i vitit në aksidentet e trafikut kanë humbur jetën 59 persona, krahasuar me 96 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet një ulje prej rreth 35 për qind.
