Të paktën 193 djem dhe burra të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës u vranë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore në atë që sot njihet si shfarosja e familjes Haklaj. Ky zinxhir i gjatë dhe i përgjakshëm eliminimesh, në çdo episod të tij, duket sikur ka një personazh gjithmonë të përfolur: Sali Berishën.

Për masakrën e familjes Haklaj, sot Prokuroria e Posaçme po kryen ende hetime, ndonëse ato kanë nisur prej vitit 2019, kur Izet Haxhia, ish-truproja e Berishës dhe një ndër njerëzit më të besuar të këtij të fundit, bëri një kallëzim penal në SPAK, duke pretenduar se mund të faktojë të paktën 23 krime të rënda të kryera nga kryedemokrati gjatë kohës që ishte president i Shqipërisë, dhe jo vetëm.

Në një reagim ekskluziv për emisionin “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, nga burgu i Reçit, Haxhia deklaron se deri më sot ka dëshmuar para prokurorëve të posaçëm në një volum prej 219 faqesh kompjuterike. Ai shpreh zhgënjimin me punën e SPAK për hetimet e tejzgjatura dhe pa asnjë rezultat.

“Në vitin 2019, para hetuesve të BKH dhe një prokurori të SPAK, kam dhënë një deklaratë prej 219 faqesh kompjuterike, ku kam evidentuar me prova dhe me fakte, si dëshmitar okular, plot 23 krime të rënda të kryera nga Sali Berisha, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij. SPAK ka vënë në dijeni avokatin tim, Idajet Beqiri, se e ka regjistruar këtë procedim penal dhe ka nisur hetimet. Por prej 7 vitesh nuk kam asnjë përgjigje se çfarë është bërë me hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të Sali Berishës për këto krime të rënda që ka kryer… Jam shumë i zhgënjyer nga SPAK, posaçërisht me vrasjen e familjarëve të familjes Haklaj…”, – thotë Haxhia për “Frontline”.

Edhe avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, rrëfeu për herë të parë në Report Tv detaje nga hetimet e SPAK mbi masakrën e Tropojës, për të cilën thotë se “është ndoshta dosja më e zezë në historinë e këtyre viteve, të viteve ’90 dhe deri në vitin 2000”.

“Vrasjet janë politike sepse politika ishte ajo që krijoi situatën, krijoi klimën që këto vrasje të ndodhnin”, – thekson Beqiri.

Për avokatin, Berisha është porositësi dhe nxitësi kryesor i vrasjes së afro 200 burrave në Tropojë për dy arsye kryesore. E para ka të bëjë me mbështetjen që familja Haklaj ka demonstruar ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Beqirit, Berisha ishte shërbëtori më i madh i agjenturave serbe në Shqipërinë e asaj kohe.

“Tropoja ishte ajo që do mbante peshën më të rëndë për luftën që bëri UÇK për çlirimin e Kosovës dhe vrasjet në Tropojë thuajse këtë motiv kanë. UÇK prej Tropojës furnizohej me armë dhe aty kishin edhe vendin ku strehoheshin dhe ku i shpëtonin represionit serb. Në një situatë të tillë, për fatin e keq, na gjeti jo mirë kjo situatë sepse politika në Shqipëri ishte e kapur prej serbëve. Nuk është propagandë, është realitet që presidenti i vendit, Sali Berisha, me prova të pakontestueshme, ishte një njeri i kapur nga agjenturat serbe, të cilave u ka shërbyer. Që kur erdhi president në vend Sali Berisha, që atëherë kishin lindur shkëndijat e përgatitjes së armatosur të UÇK-së në Shqipëri. Djem dhe vajza të reja vinin dhe përgatiteshin në Shqipëri. Ata u pikasin nga qeveria e asaj kohe dhe presidenti Berisha u vuri kufi të thanë, në kuptimin e keq të fjalës.

Berisha jo vetëm nuk i lejoi që ata të përgatiteshin, por edhe i burgosi disa prej tyre. Burgosi Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, spiunoi Mentor Kaçin. Roli i familjes Haklaj në luftën për çlirimin e Kosovës ka qenë jashtëzakonshëm. Udhëheqësit e UÇK-së i dinë kontributet e tyre të mëdha”, – thotë Beqiri.

Dhe arsyeja e dytë, sipas avokatit, është integriteti i Fatmir Haklajt, i cili nuk lejoi tropojanët të përdoreshin nga Sali Berisha për të ndezur një luftë civile veri-jug, së cilës edhe sot, në vitin 2026, kryedemokrati i mëshon si ndasi.

“Na ndodhën firmat piramidale dhe Berisha urdhëroi që të hapeshin depot e armëve me qëllim që veriu të ngrihej kundër jugut. Kanë shkuar njerëzit e Berishës në Tropojë që të armatoseshin dhe u armatosën disa, hipën në autobusë dhe donin që të bëhej masive kjo gjë. Fatmir Haklaj ka qenë personi që jo vetëm e ka penguar dhe u ka bërë thirrje tropojanëve që nuk mund të luftojmë vëllezërit tanë dhe atij i dëgjohej fjala. Për këtë Saliu krijoi konflikt të hapur me familjen Haklaj. Duke qenë kjo situatë, atëherë konfliktet lindën kur Berisha donte të bënte miting në Tropojë”, – tha Beqiri.

Lidhur me hetimet e SPAK mbi ngjarjen e rëndë, avokati Beqiri tha se dosja është e mbushur me prova dhe se nuk e kupton ngathtësinë e prokurorëve të posaçëm.

“Dëshmitar shumë i rëndësishëm dhe kryesor ishte Izet Haxhia, që ka shpjeguar fillin dhe shkakun pse ndodhën”, deklaron Beqiri, duke bërë me dije për publikun se për dosjen SPAK ka arritur të sigurojë rrëfime të detajuara edhe nga një dëshmitar okular.

“Ai ka dëshmuar 3 ditë rresht. Futej në 8 të mëngjesit, dilte në 4 pasdite. Bëhet fjalë për fundin e vitit 2025”, – thotë Beqiri.

Dëshmi voluminoze dhe të detajuara, Beqiri thotë se kanë dhënë edhe motrat e vëllezërve Haklaj dhe të tre kushërinjve të tyre që u vranë në vargun e eliminimeve të nxitura politikisht. Nga 9 orë dëshmi kanë kryer para prokurorëve të posaçëm gratë e fisit Haklaj.

“Kanë ruajtur edhe 15 gëzhoja të plumbave që u morën jetën vëllezërve të tyre”, – thotë avokati në Report Tv.

Mbrojtësi i Izet Haxhisë dhe motrave Haklaj tregoi edhe se informacionin e fundit mbi ecurinë e hetimeve e ka marrë nga Altin Dumani në vitin 2024 dhe se prej atëherë ende nuk ka një hap të dukshëm nga SPAK për dosjen e hapur prej 7 vitesh.