Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është koha që Ukraina të zgjedhë një udhëheqës të ri, pasi Volodymyr Zelensky kritikoi ashpër marrëveshjen e re të naftës mes SHBA-së dhe Rusisë.
Në një deklaratë para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trumpi u shpreh se Zelensky “dëshiron t’i shkaktojë probleme botës” duke vazhduar sulmet ndaj rafinerive ruse.
“Bën mirë nëse i ndal”, ka thënë Trumpi para se të sugjeronte që Ukraina “të ketë lider të ri që mund të sigurojë marrëveshje”.
“I kemi thënë ‘mund të bëni çka të doni me Rusinë, por mos i goditni rafineritë, sepse është problem botëror’”, ka thënë Trumpi. “Ai ka mundur të siguronte shumë marrëveshje, por gjen arsye dhe nuk e bën”.
Reagimi i Trumpit u bë si përgjigje ndaj kritikave të Zelenskyt për marrëveshjen SHBA-Rusi për naftën ruse.
Zelensky gjatë ditës tha se Rusia ka kryer sulme të ashpra ndaj civilëve në Ukrainë të shtuënën, në “shenjë falënderimi” për këtë marrëveshje, duke akuzuar Washingtonin se po e financon luftën e Moskës.
“Sot, Rusia shprehu falënderimet e saj për heqjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës duke hedhur pesë bomba rrëshqitëse në ndërtesa banimi në Zaporizhzhia”, ka shkruar Zelensky në rrjete sociale.
Trumpi të premten në mbrëmje njoftoi se me Putinin kanë rënë dakord që Rusia të furnizojë menjëherë tregun amerikan dhe atë global me mbi 300,000 tonë naftë.
Zelensky dhe Trumpi patën pasur përplasje publike edhe më 2025. Në shkurt të atij viti, takimi në Shtëpinë e Bardhë u shndërrua në përplasje të ashpër për luftën në Ukrainë, diplomacinë me Rusinë dhe mbështetjen amerikane. Pas debatit publik, u anulua nënshkrimi i marrëveshjes për mineralet dhe pjesa tjetër e vizitës së Zelenskyt.
