Gazetar: Suad Bajrami

Derisa grupi i ekspertëve të qeverisë ende nuk ka dalë me një version fillestar të ndryshimit për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se zgjidhja ligjore që do të përgatitet patjetër duhet të dërgohet në Komision të Venecias për mendim, shkruan Alsat.

“Atë që ne si Qeveri për momentin po punojmë është që të sigurohet zgjidhje e përhershme, e cila këtë, por edhe një sërë probleme tjera që i trashëguam nga e kaluara, do të zgjidhen… Po absolutisht, çdo zgjidhje si ligje do të dërgohet në Komisionin e Venecias”, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Dërgimin në Komisionin e Venecias e paralajmëron edhe bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami, i cili sot për dallim prej dje, u sinkronizua me bashkëkryetarin Izet Mexhitit sa i përket afatit për zgjidhjen e provimit të jurisprudencës brenda 3 muajve.

“Unë kam thënë që brenda qershorit do të nis procedura për plotësim të ligjit të jurisprudencës dhe që besojmë që në kuadër të asaj që ka thënë edhe zotëri Mexhiti, brenda tre muajve do të kemi një afat përfundimtar dhe do të kemi një zgjidhje ligjore... Përvoja me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve na çon të mendojmë seriozisht që çdo zgjidhje ligjore që ka të bëjë me të drejtat e komuniteteve duhet të vlerësohet edhe nga Komisioni i Venecias”, deklaroi Kasami.

Megjithatë afati tremujor duket të jetë mjaftë ambicioz, duke i pasur parasysh tërë procedurat e miratimit të ndryshimeve ligjore, duke filluar nga përgatitja, kalimi në Qeveri e Kuvend e më pas të nënshkruhet nga presidenti dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. E nëse e shtojmë këtu edhe pritjen e mendimit të Komisionit të Venecias për ligjin që ende s’është dërguar, atëherë siç thotë populli, duket se VLEN po shtrin këmbët përtej jorganit.

Ligjet e dërguara për mendim në Komisionin e Venecias
Është dërguar për mendim Është publikuar mendimi Kohëzgjatja
Ligji për Përdorimin

e Gjuhëve

Korrik 2025 Dhjetor 2025 Rreth 10 muaj
Ligji për Përfaqësim

të Drejtë

Janar 2019 Tetor 2019 Rreth 5 muaj

E sidomos nëse e marrim parasysh kohëzgjatjen veprimit të Komisionit të Venecias për dhënien e mendimit për Ligjin e Gjuhëve dhe Ligjin për Përfaqësim të Drejtë. Komisionit iu desh rreth 10 muaj të japë mendim për Ligjin e Gjuhëve, ndërsa 5 muaj për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë. E të mos flasim se brenda tremujorit që premton VLEN, përfshihet edhe muaji gusht kur zakonisht deputetët marrin pushimin vjetor dhe praktikisht Kuvendi është jashtë funksion. Me një fjalë derisa peshku është në det, VLEN e ka vendosur tiganin në zjarr. /Alsat.mk

The post VLEN shtrin këmbët përtej jorganit, Mexhiti e Kasami merren me afate, Mickoski jurisprudencën do ta dërgojë në Venecia appeared first on Alsat.