Zjarr i madh në Shuto Orizarë, digjen mbi 20 dyqane

Një zjarr i madh ka shpërthyer gjatë natës në një objekt tregtar në komunën e Shuto Orizarës në Shkup. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, zjarri është denoncuar më 11 shtator 2026, rreth orës 03:20. Flakët kanë përfshirë mbi 20 dyqane me tekstile dhe mallra të tjera, të gjitha në pronësi të një personi dhe të dhëna me qira.

Në shuarjen e zjarrit kanë intervenuar 15 zjarrfikës me gjashtë automjete të Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, intervenimi ka zgjatur më shumë se tre orë, përkatësisht nga ora 03:31 deri në 06:45.

Objekti tregtar i përfshirë nga flakët ndodhet në rrugën “Indira Gandi” në Shuto Orizarë.

Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen. Nga MPB-ja njoftojnë se në vendngjarje do të kryhet ekspertizë, ndërsa po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.