Shkruan Flora Laçi nga Partia Demokratike Evropiane.
Përshkallëzimi i fshehtë i emocioneve politike ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Sa të rëndësishme janë emocionet në politikë! Sot, përgjigja ndaj emocioneve duket se ka marrë një rol më të fuqishëm se argumentet logjike. Ato përdoren shpesh si mjet manipulimi, madje edhe gjatë festimeve kombëtare, të cilat jo rrallë bëhen shkas për tensione politike dhe ndëretnike. Shqiptaria, prej shekujsh, është përballur me politika antishqiptare. Siç thotë populli: “Jeta është një film i përgatitur me kohë,” por gjëja më e hidhur është të kuptosh se skenarin e këtij filmi mund ta kesh shkruar vetë.
Lumturia më e madhe për një politikan është të jesh i dobishëm për ata që të kanë dhënë votën. Pas tre dekadash nga pluralizmi, ende nuk kemi arritur të zgjidhim problemet politike, ekonomike, e veçanërisht ato ndëretnike. Ngjarjet e fundit në Maqedoninë e Veriut tregojnë se nacionalizmi ballkanik shpesh keqkuptohet dhe ngatërrohet me shovinizmin duke dëmtuar konceptin e një nacionalizmi të shëndoshë. Ky interpretim i shtrembër ka forcuar albanofobinë dhe ka thelluar ndasitë.
Rastet e fundit në Kumanovë, veçanërisht ato që prekin të rinjtë, janë shembull i këtij realiteti të hidhur. Të rinjtë, si hallka më e dobët, janë shpesh viktima të manipulimeve. Por, përse konfliktet, qofshin me paramendim apo jo, fillojnë shpesh nga Karadaku i Kumanovës? Kjo ndodh për shkak të intrigave politike dhe dredhive, që shpesh kanë përparësi ndaj analizave serioze dhe strategjive zhvillimore. Si pasojë, krijohen pakënaqësi të thella emocionale dhe politike.
Ata që janë në pushtet duhet ta kuptojnë se janë zgjedhur për të ndjekur një politikë të shëndoshë dhe për të mbrojtur të drejtat e votuesve shqiptarë. Kjo nuk është misticizëm, as idealizëm, por një realitet i vjetër sa vetë njerëzimi. Të jesh i ndershëm me sovranin kërkon një moral të lartë, njerëzor dhe politik, dhe një përfaqësim të denjë në vendimmarrje apo në ligjvënie.
Shumë është thënë dhe shkruar kohët e fundit për emocionet dhe moralin në politikë, sidomos për përgjegjësitë e forcave politike që përfaqësojnë votën shqiptare në qeveri. A kanë dështuar? Një politikan i suksesshëm duhet të udhëhiqet nga parime morale dhe emocione të ekuilibruara, duke ditur si të kontrollojë situatat dhe turmat pa u përfshirë në akuza të njëanshme ndaj kundërshtarëve politikë.
Fatkeqësisht, skena jonë politike shpesh i ngjan telenovelave turke që kanë mbushur ekranet shqiptare, më shumë sesa një politike të përgjegjshme dhe serioze. Europa, drejt së cilës synojmë të shkojmë, nuk arrihet me këtë lloj politikëbërjeje të njëanshme, që shpesh rezulton në vendime të dëmshme, të cilat për ironi miratohen në emër të popullit shqiptar.
Siç thotë një fjalë e urtë shqiptare:
“Ujku e ka qafën e trashë sepse vetë i zgjidh problemet.” Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për udhëheqës të aftë, që jo vetëm identifikojnë problemet, por i zgjidhin ato me drejtësi dhe ndershmëri.