
Më 27.01.2026, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër M.Z. (37), I.B. (61) dhe G.B. (59), të gjithë nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “prodhim i paautorizuar dhe vënie në qarkullim e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas MPB-së, më 26.01.2026, M.Z. ka blerë nga një person nga Struga një automjet të tipit “Opel Combo” me targa zvicerane, në të cilin, së bashku me I.B., kanë vendosur drogë narkotike – marihuanë. Më pas kanë kontaktuar G.B. me qëllim që automjeti të tërhiqej me shlep nga Struga në Shkup për shumën prej 200 eurosh, pasi automjeti nuk ishte në gjendje funksionale.
Pas mbërritjes në Shkup, M.Z. dhe I.B. i kanë kërkuar G.B.-së që për shumën prej 40 eurosh të vazhdonte drejt Sveti Nikollës, duke e tërhequr automjetin pas një veture “Mercedes”, në të cilën ata udhëtonin. Në një rrugë rajonale në afërsi të Sveti Nikollës, zyrtarët policorë, bazuar në informacione paraprake për transport të një sasie të madhe droge, e kanë ndalur automjetin transportues “Iveco”, i cili po tërhiqte “Opel Combo”-n. Gjatë kontrollit të sediljes së pasme dhe bagazhit të automjetit “Opel”, janë gjetur tetë çanta me gjithsej 50 pako marihuanë.
Pas ekspertizës së kryer nga Departamenti për Ekzaminime Forenzike pranë MPB-së, është konstatuar se sasia totale e drogës së sekuestruar është 150 kilogramë marihuanë.
