Në raportin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka tërhequr vëmendjen rastet e shumta të paraqitjes së dhunës mes nxënësve në Maqedoninë e Veriut.
Siç shihet, situata bëhet çdo ditë e më alarmante, ngaqë vetëm në këtë raport janë evidentuar tre raste, ndërkaq edhe një rast u njoftua gjatë ditës së djeshme nga TV21 e që ka ndodhur në Tetovë.
Rasti tjetër për të cilin njoftohet në raportin e MPB-së, ka të bëjë me rrahjen e një të mituri në Qendrën Transportuese në Shkup, i cili nga plagët e marra ka përfunduar në spital.
“Më datë 20.11.2024 në ora 14.55 në SPB Shkup është denoncuar se në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” me plagë është sjell i mituri nga fshati Kuçevishtë e Shkupit. Sipas së denoncuarës, tek Qendra Transportuese në Shkup është sulmuar nga një grup i të miturve, ku njëri nga ata me mjet të mprehtë i ka shkaktuar plagë”, thuhet në raport.
Në Shkup ka ndodhur edhe një rast tjetër.
“Më datë 20.11.2024 në ora 17.23 në SPB Shkup, G.S.(44) nga Shkupi ka denoncuar se rreth orës 12:30 në një shkollë fillore në rajonin e Çairit, biri i tij i mitur është sulmuar fizikisht nga tre nxënës të shkollës”, thuhet në raport.
Ndërkaq rasti tjetër, më i rëndë, ka ndodhur në Veles.
“Më datë 20.11.2024 në Stacionin Policor në Veles është denoncuar se në shkollën fillore komunale në Veles, i mituri ka sulmuar një të mitur tjetër, shok të klasës. Nxënësi i sulmuar është dërguar në Spitalin e Velesit, pas çfarë, për shkak të seriozitetit të lëndimit është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup”, qëndron në raport.
Për katër rastet ende nuk dihen shkaqet dhe nga MPB-ja deklarojnë se punohet në zbardhjen e rastit.
