Zgjedhjet e reja të paralajmëruara nga kryeministri Hristijan Mickoski po vlerësohen si të domosdoshme për të ardhmen e vendit. Aleanca për Shqiptarët ka dalë me qëndrim të qartë duke mbështetur dhe inkurajuar thirrjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare, me qëllim debllokimin e procesit eurointegrues që, sipas tyre, po mbahet peng nga qeveria aktuale.
Nga kjo parti theksojnë se për shqiptarët, zgjedhjet përfaqësojnë të vetmen rrugëdalje nga përfaqësuesit aktualë, duke akuzuar VLEN për dështim në përmbushjen e pritshmërive dhe premtimeve. Sipas tyre, VLEN ka marrë vendime të dëmshme, si heqja e balancuesit dhe zëvendësimi i tij me një ligj të kontestuar për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke penguar reforma reale.
Aleanca për Shqiptarët kritikon gjithashtu mungesën e mbështetjes për studentët shqiptarë, përfshirë mosrealizimin e mundësisë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, si dhe dështimin për të përmbushur premtimet për ndryshime kushtetuese. Ata theksojnë se, ndonëse këto ndryshime ishin vendosur si kusht nga vetë përfaqësuesit e VLEN-it, ato nuk u realizuan, ndërsa qeveria vazhdoi të funksionojë pa asnjë përgjegjësi politike.
Në reagim thuhet se në vend të avancimit të të drejtave dhe barazisë, është vërejtur degradim i gjuhës shqipe në institucione dhe rritje e nënçmimit institucional ndaj shqiptarëve. Po ashtu, sipas tyre, në vend të reformave dhe përparimit drejt integrimit evropian, vendi është përballur me stagnim dhe pasiguri të thellë.
Partia nënvizon se qytetarët po përballen me krizë ekonomike, çmime të larta dhe paga të ulëta, ndërsa një numër i madh i të rinjve po detyrohen të emigrojnë për shkak të mungesës së perspektivës.
Aleanca për Shqiptarët rithekson se qeveria aktuale nuk ka kapacitet politik dhe as vullnet demokratik për të përfaqësuar qytetarët, veçanërisht shqiptarët. Për këtë arsye, ata bëjnë thirrje që të organizohen zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe të ndëshkojnë me votë ata që nuk kanë mbajtur premtimet.
Në përfundim, nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se në këtë situatë të tensionuar politike dhe ekonomike, zgjedhjet nuk janë më një opsion, por një domosdoshmëri për të rikthyer stabilitetin, dinjitetin dhe perspektivën evropiane të vendit.
