Pas ankesës së një pemëtari se komuna e Tetovës nuk ka marrë parasysh kërkesat për të denoncuar dëmet e shkaktuara nga ngricat ndaj qershive dhe pemëve, kryetari i komunës, Bilall Kasami, deklaroi se nuk është i njoftuar për ndonjë rast të tillë, përcjell TV21. Ai premtoi se nëse ka denoncime komisioni komunal do të dalë në terren, ndërsa për vlerësimin e dëmeve do të vendosë komisioni qeveritar. Kujtojmë se në komuna të tjera, si në Prespë – ku kultivohen kryesisht mollët – është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga ana e komunës.
“Unë e di se nga situatat paraprake kemi pasur një vendim, një plan që e kemi miratuar, qytetarët do të duhet të paraqiten në komunë formalisht në arkivin e komunës dhe komuna do të vazhdojë punën e atij komisioni. Ne e dimë se është vendim që e merr qeveria. A do të dëmshpërblehen dhe sa do të dëmshpërblehen ata qytetarë , ne si komunë e bëjmë procedurën administrative të evidentimit të rasteve dhe të njëjtat i përcjellim deri në qeveri. Unë do ta shqyrtojë se për çfarë bëhet fjalë edhe si është situata. Nuk kam pasur ndonjë ankesë personalisht tek unë, por edhe do shfrytëzoj këtë si rast se në administratën e komunës, nëse ka pas ndonjë rast që të mos përsëriten. Nëse do të ketë kërkesa formale komisioni do të duhet të dal në terren”, tha Bilall Kasami- kryetar i komunës së Tetovës.
