Është arrestuar drejtoresha e Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi” në Gostivar, Artana Asani, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë, në lidhje me ndotjen e ujit në qytet.

Më herët, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, njoftoi se drejtoresha e ndërmarrjes është pezulluar nga puna deri në daljen e rezultateve përfundimtare.

“Të gjithë ata që kanë rol në NP për momentin nuk i kryejnë detyrat e tyre. Sot dalin rezultatet përfundimtare. Me këtë nuk dua as të fajësohet dikush pa patur faj, por gjithsesi t’i hapim rrugë që ky problem të gjen epilog. E kemi pezulluar deri në daljen e rezultateve”, tha Valbon Limani – kryetar I Gostivarit.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se për këtë situatë duhet të ketë edhe përgjegjësi morale, nga drejtuesit e ndërmarrjes e deri te kryetari i komunës.

 “Përgjegjësi morale, absolutisht, atje të gjithë, nga i pari deri te i fundit, duhet të mbajnë përgjegjësi. Përveç asaj që supozoj se prokuroria do të merret me një lloj tjetër përgjegjësie, pres që, nga kryetari i komunës e poshtë, të gjithë të mbajnë një përgjegjësi të caktuar morale”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i komunës.  

Limani, në paraqitjen e tij para mediave, tha se situata në Gostivar duhet t’i bashkojë të gjithë për tejkalimin e krizës dhe kërkoi që kjo çështje të mos përdoret për qëllime politike.