Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, në seancën plenare të 162-të të Parlamentit Evropian në Bruksel, theksoi se sfida më e madhe me të cilën ballafaqohen komunat në Maqedoni është ndërhyrja e politikës dhe pushtetit qendror në funksionimin e vetëqeverisjes lokale.

Në fjalën e saj, siç informojnë nga Kabineti i saj, ajo vuri në dukje se është vënë në pikëpyetje veprimi i pavarur i pushteteve vendore, të cilat janë nën presion financiar dhe politik nga strukturat e larta.

“Sfidat kryesore me të cilat përballet pushteti vendor janë ndërhyrja politike në punën e tyre dhe përpjekjet për të ndikuar në pavarësinë dhe integritetin e institucioneve vendore nga pushteti qendror, si dhe burimet dhe kapacitetet e kufizuara financiare. Përpjekjet e vazhdueshme për të avancuar decentralizimin, përmirësimin e qeverisjes lokale dhe inkurajimin e bashkëpunimit ndëretnik do të jenë thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme, demokratike dhe të begatë që do të jetë në përputhje me vlerat dhe standardet e BE-së. Pushteti lokal në Maqedoni është pjesë integrale e procesit të integrimit të vendit në BE dhe kornizës së përgjithshme qeverisëse. Autoritetet lokale mund të kontribuojnë ndjeshëm në aspiratat e anëtarësimit në BE, gjë që kërkon forcimin e institucioneve vendore, promovimin e angazhimit qytetar dhe adresimin e nevojave unike në nivel lokal”, tha kryetarja e Shkupit.