Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Autostrada Shkup–Bllacë ka nxitur përplasje mes partive shqiptare për meritat e realizimit të saj. Integristët thonë se projekti është konceptuar, projektuar dhe siguruar financiarisht gjatë qeverisjes së BDI-së, ndërsa akuzojnë VLEN-in se po manipulon opinionin publik duke përvetësuar meritat për një projekt që, sipas tyre, është trashëguar nga qeveritë e mëparshme.

“Për dy vite me radhë projekti u bllokua dhe u shoqërua me deklarata kontradiktore, pretendime për ndryshim traseje, ide për reduktimin e tij në rrugë magjistrale dhe tentativa për ta paraqitur si një projekt të ri. Madje u shpenzuan edhe rreth 8.850.000 denarë për analiza dhe ndryshime, vetëm që në fund të riktheheshin te zgjidhja e përgatitur nga BDI. Sot, ata që dikur e kontestonin këtë projekt dhe e vonuan për dy vite, përpiqen të marrin meritat për të. Faktet flasin ndryshe: autostrada Shkup–Bllacë është produkt i vizionit, planifikimit dhe punës së BDI-së”, thanë nga BDI.

-Deklarata kontradiktore
-U rikthyen tek zgjidhja e BDI-së
-Është produkt i jonë

Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës thotë se në fakt VLEN nuk po njofton fillimin e ndërtimit, por zvarritjen e tij, duke pasur parasysh se projekti pritet të zgjasë për 3 vite e gjysmë.

“Kryetarët dhe ministrat e koalicionit VLEN të cilët dje bënin gara se cili do të bëjë më shumë lajme për rrugën Shkup-Bllacë nuk njoftuan fillimin e ndërtimeve, por në fakt zvarritjen e re të realizimit të këtij projekti mjaft të rëndësishëm. Ata mes tjerash vetë pranuan që ky projekt do të merr 3.5 vite për tu finalizuar, që dëshmon qartë se ata veçse pranuan dështimin dhe shkelën fjalën e tyre se rruga do të ndërtohet brenda mandatit qeverisës”, deklaruan nga Lidhja Shqiptare.

– VLEN njofton fillimin e zvarritjes
– Pranuan se kanë dështuar

Ndërkohë, partia në pushtet VLEN thotë se atë që të tjerët nuk e realizuan për 24 vite, ata po e bëjnë për 24 muaj.

“Për 24 vjet me radhë, qytetarëve iu premtua kjo autostradë, por ajo mbeti vetëm në letër. Sot, me VLEN-in në qeveri dhe me angazhimin e përfaqësuesve tanë në institucionet shtetërore, ky projekt po shndërrohet në realitet. Angazhimi i zëvendësministres Kaltrina Zekolli dhe koordinimi me institucionet përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë po japin rezultate konkrete. VLEN vazhdon të dëshmojë se projektet nuk realizohen me premtime boshe, por me punë, përgjegjësi dhe vendimmarrje. Atë që të tjerët nuk e bënë për 24 vjet, VLEN po e bën në 24 muaj”, theksuan nga VLEN.

– Premtime boshe për 24 vite
– Angazhimi jonë po jep rezultate konkrete
– VLEN po e bënë për 24 muaj

Ndërtimi i autostradës së re Shkup-Bllacë u njoftua dje nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, i cili tha se punimet do të nisin këtë verë dhe projekti do të realizohet nga një kompani vendase. Ndërkohë u bë e ditur se ndërtimi i autostradës do të kushtoj 200 milionë euro./Alsat.mk.

The post Autostrada Shkup–Bllacë ka nxitur përplasje mes partive shqiptare për meritat e realizimit të saj appeared first on Alsat.