Nëse Lamine Yamal është i paparashikueshëm në fushën e lojës, po aq mund të thuhet edhe për të atin, Mounir Nasraoui, në situata të tjera. 40-vjeçari me origjinë marokene është bërë sërish objekt diskutimesh për sjelljen e tij të debatueshme dhe deklaratat provokuese. Rasti i fundit ndodhi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në një park për qen në Pedralbes, ku Nasraoui iu përgjigj një përdoruesi që e akuzoi se nuk bën asgjë dhe nuk punon.

Përgjigjja e tij ishte mburrja me pasurinë që zotëron, të lidhur edhe me suksesin financiar të të birit, yllit të Barcelonës. Është e vështirë të gjesh një mënyrë për të shkaktuar polemika me një përmbajtje të thjeshtë, të menduar për të treguar një skenë të zakonshme të përditshmërisë. Megjithatë, Mounir Nasraoui ia doli, pasi theksoi se në hapësirën e hapur kishte një problem serioz me furnizimin me ujë: “Nuk ka ujë! Nuk ka ujë! Çfarë turpi! Këlysh i vogël, më vjen keq, i bukur. Ju që keni qen dhe dëshironi t’i trajtoni mirë… Nuk ka ujë!”

Ky ishte një lloj denoncimi nga babai i Yamal, i cili më pas, duke kaluar komentet e ndjekësve të tij, lexoi mesazhin e dikujt që e sulmonte për humbjen e kohës: “Shikoni, dikush më shkruan: Shko puno, turp të të vijë. Po ik pirdhu! Unë nuk kam nevojë të punoj, djalosh. Adopto një qen! Adopto një qen, pis! Unë nuk kam nevojë të punoj, kam miliona, falë Zotit”.

Mounir Nasraoui ka një ego të konsiderueshme dhe shpesh e ka shfrytëzuar famën e të birit, i cili po kthehet gjithnjë e më shumë në një fenomen të futbollit ndërkombëtar, për të përfituar edhe vetë. Madje, duke mos u mjaftuar me kaq, ai përfshiu në diskutim edhe Santiago Abascalin, politikanin spanjoll dhe presidentin e partisë së ekstremit të djathtë “Vox”, për faktin se nuk kishte arritur të garantonte shërbimet bazë në parkun e qenve. Ai u shpreh edhe me fjalë të rënda: “Hej, Abascal, nuk vlen fare për asgjë! Shumë fjalë, kjo e ajo, dhe pastaj nuk ka ujë, shiko. A mund ta besoni? Është vërtet turp, njerëz”.

Asgjë e re, pra, me Mounir Nasraoui, i cili konfirmohet si një personazh krejtësisht i pakontrollueshëm. Jeta e tij ndryshoi rrënjësisht me shpërthimin e Lamine Yamal. Nga një piktor, që kishte kryer edhe punë të ndryshme fizike e të pasigurta, ai nisi të jetojë me të ardhurat që i siguron suksesi i të birit. Karakteri i tij, megjithatë, nuk ka ndryshuar. Temperamenti shpërthyes vazhdon ta shoqërojë edhe tani që është bërë personazh publik, ashtu si djali i tij, me një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale.

Nasraoui ka qenë protagonist i disa ngjarjeve që kanë përfunduar në faqet e para të gazetave, përfshirë plagosjen me thikë pas një sherri. Prania e tij është konsideruar ndonjëherë edhe e tepërt për Lamine, të cilin përpiqet ta ndjekë sa herë që ka mundësi. Kjo nuk ndodhi gjatë Botërorit të fundit, kur ai nuk mundi të udhëtonte drejt SHBA, pasi duhej të kujdesej për gjendjen e tij shëndetësore të lidhur me epilepsinë.

 

The post Babai i Yamal: Më shkruajnë: shko puno, turp të kesh! Ik pirdhuni, nuk më nevojitet, kam miliona appeared first on Telesport.