Michael Olise po zhvillon një tjetër sezon të shkëlqyer dhe e ardhmja e tij mbetet në qendër të vëmendjes. Verën e kaluar, francezi ishte objektivi kryesor i Florentino Pérez për të përforcuar Real Madridin, por Bayerni refuzoi të dëgjonte oferta për një nga yjet e tij. Klubi gjerman synon gjithashtu t’ia zgjasë kontratën, që përfundon më 2029.

Presidenti Herbert Hainer, në një intervistë për “Bild”, dërgoi një mesazh të qartë për madrilenët: “Mbi thashethemet me Real Madridin gjatë verës, mund të them se jam i bindur që Bayerni është një klub që nuk detyrohet të shesë lojtarë. Ne i marrim vendimet nga një pozicion force. Olise ka kontratë deri më 2029 dhe shpresoj që ta zgjasë”.

Sipas “Bild”, 25-vjeçari kërkon që kontrata e re të përfshijë një klauzolë largimi, për të pasur mundësinë të largohet nëse dëshiron. Bayerni synon ta bëjë Olise lojtarin më të paguar të skuadrës, në të njëjtin nivel me Harry Kane dhe Jamal Musiala, të cilët përfitojnë rreth 25 milionë euro në vit. Francezi u transferua nga Crystal Palace më 2024, për 53 milionë euro.

Hainer foli edhe për rinovimin e Kane: “Jam shumë optimist. Bisedimet po shkojnë shumë mirë. Harry dhe familja e tij ndihen jashtëzakonisht mirë në Mynih. Besoj se zgjatja e kontratës do të konkretizohet së shpejti”.

The post Bayern Munich, mesazh force për Real Madridin: Olise nuk është në shitje appeared first on Telesport.