Fillimisht humbja e nënës, e më pas një test dopingu në shtëpi, në dhomën ngjitur me vendin ku prehej trupi i saj. Kjo është përvoja tronditëse që përjetoi Valentina Cavallar, çikliste profesioniste e ekipit SD Worx-Protime, të cilën ajo e rrëfeu vetë në rrjetet sociale.
“Zakonisht preferoj ta mbaj jetën time private larg syrit të publikut, por kjo është diçka që e ndiej të rëndësishme ta ndaj. Humbja e nënës sime në shtator e ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si e shoh jetën,” e nis postimin 25-vjeçarja italiane.
“Gjithmonë e kam ditur se sa e rëndësishme ishte familja për mua, por nuk mendoj se e kisha kuptuar plotësisht peshën e të qenit një sportiste profesioniste. Megjithatë, në atë moment, nuk po mendoja aspak për çiklizmin, garat apo përgjegjësitë e mia si sportiste. Isha thjesht një vajzë që sapo kishte humbur nënën“, tha Cavallar.
Në postimin e gjatë, Valentina e përshkroi ngjarjen me fjalët e saj: “Ajo që e bëri këtë përvojë edhe më të vështirë ishte fakti se, vetëm pak orë pas vdekjes së saj, m’u desh t’i nënshtrohesha një testi antidopingu në shtëpi, në dhomën ngjitur me vendin ku ndodhej trupi i saj”.
“Ishte një moment thellësisht i dhimbshëm, krejtësisht i papërshtatshëm dhe mungesë respekti ndaj familjes sime. Ishte një moment që më bëri të reflektoj se sa lehtësisht harrojmë që, pas çdo sportisti, fshihet një qenie njerëzore me një jetë, një familje dhe emocione që nuk zhduken thjesht sapo nisin përgjegjësitë e sportit profesionist”, tha çiklistja.
“Unë besoj te sporti i pastër. Por besoj gjithashtu se njerëzillëku, dhembshuria dhe respekti nuk duhen harruar kurrë”, tha ajo.
The post Rrëfimi tronditës: Bëra testin antidoping me nënën që sapo kishte ndërruar jetë në dhomën tjetër, moment i dhimbshëm dhe i papërshtatshëm appeared first on Telesport.
