BDI ka akuzuar sot komunën e Tetovës për shitje të pronave publike për një euro metër katror. Në shenjë revolte, anëtarët e degës së BDI-së, vendosën edhe ngjitëse në dyert e komunës së Tetovës, duke simbolizuar mbylljen e të njëjtës. Paralajmëruan edhe masa ligjore lidhur vendimet për shitjen e tokës shtetërore për një euro metër katror. Zëdhënësja e degës së BDI-së në Tetovë Lindita Aliu kërkoi që në vend të shitjes së tokave shtetërore, komuna të ndërtoj çerdhe aty ku ka nevojë.
“Kjo që ata po mundohen ta promovojnë si zhvillim ekonomik dhe menaxhim me tokën ndërtimore, paraqet në fakt grabitje e organizuar e pronës publikes dhe pasurim të individëve të afërt me pushtetin. Komuna po mbyllet nga qytetarët, për shitje dhe krim ndaj pronës publike. BDI – Dega Tetovë nuk do të heshtë. Ne do t’i informojmë qytetarët për çdo parcelë, çdo vendim dhe çdo tentim për tjetërsim të pronës së tyre. Dhe jo vetëm kaq. Kemi informata akoma më alarmante të cilat do ti shpalosim ditëve në vijim. Dega Tetovë do të ndërmarrë edhe masa ligjore ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin pozicionet publike, marrin vendime në dëm të tetovarëve dhe janë shndërruar në tregtarë të pronës publike,” tha Lindita Aliu, Zëdhënëse e degës së BDI-së në Tetovë. /Alsat.mk
