Në katër vjetorin e nënshkrimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, nga BDI kritikojnë Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se sipas tyre, po goditet pjesa legjislative e Marrëveshjes së Ohrit dhe po cenohet “vendi i merituar i gjuhës shqipe në shtetin tonë multietnik”.  Nga BDI Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve e cilësojnë si akt historik që vulosi barazinë dhe stabilitetin institucional të vendit. 

“Por, katër vjet më vonë, shpirtrat anti-Ohër janë zgjuar sërish për të goditur aty ku zinxhiri është më i brishtë, aty ku mund të shkaktojnë më shumë përçarje – në çështjen e gjuhës, simbolin më të madh të barazisë dhe harmonisë ndëretnike.  Përpjekjet për të vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e këtij ligji nuk janë asgjë tjetër veçse një sulm ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik të vendit.  BDI e konsideron këtë ndërhyrje të dirigjuar politikisht një akt regresiv, që nuk synon as drejtësi dhe as rregull institucional, por krijimin e tensioneve dhe hapjen e plagëve të së kaluarës.  Çdo tentativë për të kontestuar ligjin e gjuhës është një tentativë për të kontestuar Marrëveshjen e Ohrit dhe vetë rendin kushtetues të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.